Shkrime
‘Moska do të marrë atë që dëshiron, pa lëshime, për Trumpin, Ukraina i përket Kremlinit’

Politologu Yascha Mounk: “Për Uashingtonin, bota ndahet në sfera influence; ata që e ndajnë atë janë SHBA, Rusia dhe Kina”…
Telefonata midis Donald Trump dhe Vladimir Putin sapo ka përfunduar. Një telefonatë nga e cila mund të varet jo vetëm e ardhmja e luftës në Ukrainë, por edhe, në një farë mënyre, e ardhmja e gjithë Evropës. Yascha Mounk – politolog, një nga studiuesit kryesorë të krizës së demokracisë liberale dhe të ngritjes së populizmit – ditët e fundit ishte shprehur i shqetësuar për atë që parashikohej të ishte një marrëveshje, ku Ukraina kishte gjithçka për të humbur dhe Rusia gjithçka për të fituar. Pas përfundimit të telefonatës, ai nuk është i habitur.
“Kanë kaluar muaj që situata duket se po shkon në këtë drejtim, me Ukrainën që do të detyrohet të pranojë humbjen e një pjese të territorit të saj sovran. Prej kohësh është bërë e qartë se ajo nuk është në gjendje ta dëbojë ushtrinë ruse nga territori i saj, dhe për këtë arsye, në një farë mënyre, një formë ndërprerjeje e luftimeve është e nevojshme. Problemi është se, edhe nëse ky realitet ekziston, do të kishim pasur nevojë për një kusht për të arritur një paqe, në mos të drejtë, të paktën sa më pak të padrejtë.”
Cili është ky kusht?
“Vazhdimi i mbështetjes publike dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, në mënyrë që ta detyronin Putinin të bënte lëshime të vërteta. Frika në këtë moment nuk është armëpushimi, të cilin të gjithë e dëshirojmë, por që do të pranohet që një pjesë e territorit ukrainas të mbetet nën kontrollin e Rusisë dhe që nga Rusia nuk do të kërkohet asgjë në këmbim. Këto dy gjëra, edhe nëse sjellin paqe, nuk do të sjellin një paqe të qëndrueshme, duke marrë parasysh synimet ekspansioniste të Putinit.”
A del Putini i rehabilituar dhe i forcuar nga kjo telefonatë me Trumpin?
“Skandali nuk është që Trumpi flet me Putinin, por mënyra se si flet për të. Trumpi flet për ‘ndarjen e aseteve ukrainase.’ Kjo është një gjuhë biznesi, më shumë sesa diplomaci. Ka edhe një kontradiktë në atë që unë e quaj instinktin e tij të dyfishtë në politikën e jashtme: ai flet në mënyrë shumë agresive kur bëhet fjalë për Panamanë, Kanadanë, Grenlandën – vende për të cilat duket se ka ambicie ekspansioniste. Nga ana tjetër, kur flet për Ukrainën, por edhe për Tajvanin dhe territore të tjera, ai duket sikur po thotë se interesat e Shteteve të Bashkuara nuk janë të zgjerohen, por përkundrazi, të lënë kontrollin mbi këto territore tek fuqitë historikisht armiqësore ndaj SHBA. Në të vërtetë, sipas meje, ka një shpjegim për këtë paradoks të dukshëm: Trump e sheh botën të ndarë sipas sferave të influencës. Ai beson se Ukraina bën pjesë në sferën natyrore të influencës së Rusisë, se Tajvani bën pjesë në sferën natyrore të influencës së Kinës, dhe se Grenlanda ose Panamaja duhet të jenë pjesë e sferës natyrore të influencës së Shteteve të Bashkuara. E gjithë kjo e shoqëruar me një qasje oportuniste, sipas së cilës objektivi është të përfitohet sa më shumë nga ato zona që janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të SHBA-së, dhe të braktisen të tjerat ndaj Rusisë apo Kinës, me një indiferencë të plotë ndaj rendit të mëparshëm botëror.”
Në këtë kontekst, si e sheh Trumpi Evropën?
“Ajo është një aleat, por ka më shumë ose më pak rëndësi në varësi të asaj se sa i shërben interesave amerikane. Evropa Lindore është në rregull të mbetet nën ndikimin e Rusisë, dhe për këtë arsye nuk mbrohet; Evropa Perëndimore është më mirë të mbetet në sferën e influencës së Shteteve të Bashkuara, por në kushte shumë më pak të favorshme sesa më parë. Në këtë kontekst të ri botëror, Evropa duhet të vendosë se çfarë të bëjë: nëse dëshiron të jetë një entitet, fati i të cilit përcaktohet nga politikanë apo diktatorë të largët, apo nëse dëshiron të bëhet zonjë e fatit të saj. Dhe nëse dëshiron të marrë në dorë të ardhmen e saj, atëherë duhet të ndryshojë shumë, jo vetëm të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, por edhe të bëhet sërish një forcë e vërtetë ekonomike në botë, që do të thotë të prodhojë avionë modernë, të ketë automjete elektronike konkurruese, të jetë në pararojë të kërkimit mbi inteligjencën artificiale. Për shumë kohë, Evropa ka menduar se mund të ndjekë një model si ai italian, një rënie e ngadaltë, por mjaft komode. Në këtë realitet të ri botëror, më duket se kjo mundësi nuk ekziston më.”
Ursula von der Leyen thotë se nëse Evropa dëshiron paqe, duhet të përgatitet për luftë.
“Historia e 20 viteve të fundit na ka treguar se Putini e sheh çdo formë dobësie si një provokim. Ai e ka parë mundësinë e zgjerimit të territorit të tij me Gjeorgjinë dhe Ukrainën – dhe me vende të tjera – si një ftesë për të nisur një luftë dhe për të realizuar qëllimin e tij të vërtetë: zhbërjen e asaj, që ai e konsideron si tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit XX – shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Unë besoj se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur kundër rrezikut të zgjerimit rus është të kesh një forcë të besueshme penguese, por për ta realizuar këtë, duhet të jesh edhe i aftë të mbrohesh. Askush në Evropë nuk dëshiron luftë, por ndonjëherë mënyra më e mirë për ta shmangur luftën është të dish të mbrohesh.” / La Stampa

