Kosova
Mosndëshkimi, inkurajon Serbinë të sulmojë prapë/ Osmani përballë Ulutas
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend.
Ajo falënderoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për shtimin e trupave të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullimin e kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit të Serbisë të 24 shtatorit.
“Presidentja Osmani në takim me komandantin Ulutaş, ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë” – thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja potencoi se bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n “fatkeqësisht akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në muajin , është mesazh i keq dhe inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë”.
Presidentja shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon.