Connect with us

Aktualitet

Moti i keq/ Përmbytje dhe bllokime rrugësh – Situata në të gjithë vendin

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit gjatë orëve të fundit. Kjo ka sjellë bllokimin e rrugës së Arbrit ndërsa vijon pezullimi në 2 shkollat në Lezhë, oborret e të cilave ishin të mbuluara nga uji një ditë më parë. Teksa reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe Krujën, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Moti i keq ka pezulluar edhe lundrimin nga Durrësi në Bari dhe anasjelltas. Shkak është bërë stuhia detare, ndërsa pritet që lundrimet të nisin ditën e nesërme.

DURRËS- Kompanitë e lundrimit kanë anuluar lëvizjen e trageteve nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas për shkak të stuhisë detare dhe dallgëzimit deri në 8 ballë. Pritet që lundrimet të rifillojnë ditën e nesërme dhe pasagjerët do të rimbarkohen. Ata të cilët dëshirojnë të anulojnë udhëtimin e tyre, do të marrin mbrapshtë paratë e paguara për biletën.

DIBËR – Reshjet e dendura të dëborës në zonat malore të Dibrës gjatë orëve të para të mëngjesit kanë bllokuar rrugën e Arbrit, bypass-in Qafë Murrizë. Policia bën apel që drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Tiranës të përdorin rrugën alternative, aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Aktualisht subjekti kontraktor po punon për mirëmbajtjen, pastrimin e rrugës dhe hapjen e saj. Njëkohësisht, Policia Rrugore apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të  tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit,  të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes me shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

LEZHË – Intensiteti i reshjeve të shiut ka rënë gjatë orëve të fundit, por edhe gjatë ditës së sotme nuk po bëhet mësim në dy shkollat të cilat një ditë më parë ishin nën pushtetin e ujit, shkollat ‘Gjergj Kastrioti’ dhe ‘Besëlidhja’.

KRUJË – Të gjitha malet në rrethin e Krujës janë të mbuluara nga dëbora, trashësia e së cilës varion deri në 15 cm. Rruga për Qafshtamë kalohet vetëm me zinxhirë. Ndërsa disa fshatra kanë mbetur pa drita për shkak të dëmtimit të linjave ekzistuese.

Reshjet e dëborës në Korçë, qarkullimi i mjeteve pa problematika! Dëmtime në 2 shkolla nga erërat, përmirësim të furnizimit me energjinë elektrike

Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe Korçën por nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve. Trashësia e borës ka arritur nga 5 deri në 15 cm në rrugën e Dardhës ndërsa vijon puna me borëpastruese për pastrim dhe kriposje. Edhe në akset rrugore nacionale dhe turistike, nuk ka probleme në rrugë.

Segmentet kryesore nacionale dhe ato turistike Qafa e Thanës-Pogradec-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë kanë qënë të hapura dhe pa probleme, është punuar gjatë gjithë natës për mirëmbajtjen e tyre.

Në bashkinë Kolonjë gjatë natës ka patur erëra te forta dhe shira të rrëmbyeshëm, ndërsa në mëngjes borë 2-3 cm. Si pasojë ka patur dëmtime në dy shkolla, dhe po punohet për riparimin e tyre. Në bashkinë Korçë do të vazhdojë heqja e pjesës tjetër të çatisë në ndërtesën tek pazari.

Ka përmirësim te furnizimit me energji elektrike, sot ka defekte sporadike ne bashkinë Pogradec fshati Jollë, ne bashkinë Devoll fshati Çipan, në bashkinë Korçë, fshatrat Kodra dhe Peshtan, të Njësisë Administrative Vithkuq. Grupet e punës janë në teren dhe po vazhdojnë nga riparimet e defekteve.

Moti i keq në Lezhë, flet kryetari i Bashkisë Lezhë: Uji është tërhequr, s’ka pasur shumë probleme të pa menaxhueshme]

Rrugët janë duke u pastruar në Lezhë, pas tërheqjes së ujit. Kështu raporton kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu i cili shton se situata është monitoruar. Sipas tij, në qarkun Lezhë nuk ka patur probleme të pa menaxhueshme.

“Siç e shihni uji është tërhequr. Gjatë natës ka rënë shi, por nuk ka më ngarkesë. Tani nuk kemi më situatë emergjente por do ndërhyjmë më lagje për t pastruar. Nëse ka reshje, do mbajmë në kontakt njerëzit që na ndihmojnë. Nuk ka pasur shumë probleme. Kontrolluam zonën, evakuuam disa familje ka pasur probleme por s’kemi pasur situatë jashtë kontrolli. Në Lezhë s’do ketë më të tilla situata.”- tha Pjerin Ndreu, kryetari i bashkisë së Lezhës

Nuk përmirësohet situata nga përmbytjet në Shkodër, ende 1100 hektarë nën ujë

Nuk ka përmirësim të situatës nga përmbytjet në Shkodër. Ende vijojnë të mbeten 1100 hektarë tokë e përmbytur në njësinë administrative Ana e Malit. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.

Në rrugën e Obotit po operon  një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë

Trageti nga Brindisi mbërrin pa probleme në Portin e Vlorës, pas orës 16:00 pritet përkeqësim i motit

Kushtet hidrometeorologjike të parashikuara dhe kushtet aktuale të detit dhe erës janë përmirësuar në Portin e Vlorës. Anija pasagjere e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë mbërriti normalisht.

Por pas orës 16:00 kushtet hidrometeorologjike pritet të përkeqësohen përsëri ne drejtimin jug-perëndim me dallgëzim deri në 7 ballë dhe me shpejtësi ere deri 15-20m/s brenda gjirit të Vlorës.

Moti i keq/ Anulohet lundrimi i trageteve nga Durrësi në drejtim të Barit dhe anasjelltas, shkak stuhia detare

Kompanitë e lundrimit kanë anuluar lëvizjen e trageteve nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas për shkak të stuhisë detare dhe dallgëzimit deri në 8 ballë.

Pritet që lundrimet të rifillojnë ditën e nesërme dhe pasagjerët do të rimbarkohen. Ata të cilët dëshirojnë të anulojnë udhëtimin e tyre, do të marrin mbrapshtë paratë e paguara për biletën.

Njëra prej kompanive ka njoftuar anulimin e udhëtimeve të planifikuara për mbrëmjen e sotme, përkatësisht:

Bari-Durrës në orën 22:00 dhe Durrës-Bari po në orën 22:00.

Reshjet e dëborës në Llogara, pastrohet dhe kriposet rruga! Asnjë problematikë në qarkullimin e mjeteve

Edhe Llogaraja është përfshirë nga reshjet e borës gjatë natës. Borëpastrueset kanë dalë menjëherë në terren duke pastruar dhe kriposur rrugën që të mos krijohen problematika në qarkullimin e mjeteve.

U përmbytën ditën e djeshme, mësimi vijon të jetë i pezulluar në dy shkolla të Lezhës! Tërheqja e ujit, lë pas dëme në banesa dhe biznese

Pavarësisht rënies së intensitetit të reshjeve të shiut, gjatë orëve të fundit, edhe gjatë ditës së sotme nuk po bëhet mësim në dy shkollat të cilat një ditë më parë ishin nën pushtetin e ujit, shkollat ‘Gjergj Kastrioti’ dhe ‘Besëlidhja’.

Ndërkohë uji është tërhequr në disa prej zonave të qytetit ku kishte probleme, por ka lënë pas dëme të konsiderueshme në banesa dhe biznese të cilat u përmbytën një ditë më parë.

Moti i keq, mbulohen nga dëbora malet në Krujë! Rruga për Qafshtamë e kalueshme me zinxhirë! Disa fshatra pa energji elektrike

Të gjitha malet në rrethin e Krujës janë të mbuluara nga dëbora, trashësia e së cilës varion deri në 15 cm. Rruga për Qafshtamë është aktualisht e kalueshme vetëm me zinxhirë. Sa i përket lumenjve, niveli i tyre është rritur ndërsa deri tani nuk paraqesin problem. Ndërkohë vijon problematika me energjinë elektrike. Disa fshatra kanë mbetur pa drita për shkak të dëmtimit të linjave ekzistuese.

Advertisement