Aktualitet
Moti i keq/ Situatë e rënduar në të gjithë vendin, përmbytje në Tiranë e Durrës
Reshje të shumta shiu kanë përfshirë vendin tonë që prej orëve të para të mëngjesit, duke krijuar kështu edhe problematikat e para. Në qarkun e Lezhës për shkak të reshjeve është fryrë Përroi i Zmejës në Rrëshen dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave Në Tiranë reshjet e shiut kanë nisur me intensitet që orët e para të mëngjesit. Për pasojë disa rrugë janë të mbushura me ujë, ndërsa niveli Lanës është rritur në zonën e Pallatit me Shigjeta. Në Durrës ka prani të madhe të ujit pranë stadiumit të futbollit ‘Niko Dovana’ dhe te rruga ‘Egnatia’ që të çon në Currila. Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, përroi i Zmejës është fryrë dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave. Gjatë gjithë ditës së sotme meteorologët kanë parashikuar që të ketë stuhi shiu dhe breshër. Në darkë pritet që të ulet intensiteti i reshjeve. Ditën e Mërkurë vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime vranësirash të cilat do të pasohen me reshje shiu me intensitet mesatar e lokalisht deri të lartë fillimisht në veriperëndim e më pas lokalisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në jug të vendit. Reshjet do të jenë të herëpashershme dhe do të shtrihen në të gjithë territorin në formën e rrebesheve të shpejta e stuhive më shkarkesa të forta elektrike e breshër. Gjatë orëve të mbrëmjes reshjet do të ulin intensitetin dhe do të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra. Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim me shpejtësi mesatare 1-8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetarë era fiton shpejtësi 10-14 m/s shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-3 ballë. Temperaturat parashikohen: në zonat malore 9 deri 16 °C në zonat e ulëta 9 deri 20°C në zonat bregdetare 13 deri 22 °C.