Bota
“M’u ndal zemra”/ 18 ushtarë amerikanë qëllojnë me armë në plazh, pushuesit frikësohen

Një grup prej të paktën 18 ushtarësh të forcave elitare amerikane Army Rangers tronditi pushuesit në Crab Island, Florida, kur ata qëlluan me armë me fishekë manovër pranë turmave në breg. Ngjarja u filmua dhe u shpërnda në rrjete sociale, ku ushtarët shfaqeshin me uniforma ushtarake dhe bluza me mbishkrimin “Army Ranger”.
Pushuesit u përfshinë nga paniku, ndërsa të shtëna të njëpasnjëshme u dëgjuan në zonë. “A janë të vërteta këto?” Dëgjohet një grua duke thirrur në një nga videot. Klientët në varkën turistike të kapiten Michael Ingram u hodhën për të kërkuar strehim. “Zemra m’u ndal, mendova se dikush ishte qëlluar,” u shpreh ai, duke dënuar incidentin si të papërgjegjshëm, përballë realitetit të masakrave të vërteta në SHBA.
Zyra e Sherifit në Okaloosa County konfirmoi se mori të paktën dy telefonata në numrin e emergjencës për të shtëna.
Ngjarja ndodhi vetëm pesë milje larg Festivalit vjetor “Billy Bowlegs Pirate” në Fort Walton Beach, ku Rangers marrin pjesë çdo vit në një betejë të simuluar me fishekë manovër. Por organizatorët mohuan çdo lidhje të këtij incidenti me festivalin, duke sqaruar se ai ndodhi jashtë perimetrit të ngjarjes së miratuar.
Zyrtarët e qytetit theksuan se të shtënat në Crab Island nuk ishin pjesë e programit dhe nuk ishin aprovuar nga askush.
Ushtria Amerikane ka nisur një hetim të plotë. Zëdhënësja Jennifer S. Gunn konfirmoi se 18 ushtarët janë pezulluar përkohësisht si instruktorë në pritje të përfundimit të hetimit, ndërsa nuk do të jenë pjesë e trajnimeve në Camp Rudder në Florida.

