Connect with us

Kosova

Na gënjyen mashtruesit, Petkoviçi tregon se çfarë garancish ka marrë

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, akuzoi bashkësinë e organizuar ndërkombëtare se e gënjyen Serbinë rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, kur kanë kaluar “4 mijë ditë” nga marrëveshja e dialogut për këtë mekanizëm.

Petkoviçi përveç ndërkombëtarëve akuzoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas tij, nuk është i gatshëm ta çojë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndërsa vazhdon të shpërblehet nga perëndimorët. Ai pretendoi gjithashtu ta ketë kuptuar “dyfytyrësinë” e politikës perëndimore karshi procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Prishtina, 4000 ditë më parë, mori përsipër të formonte Asociacionin e Komunave Serbe kurse Beogradi mori garanci të forta ndërkombëtare se kjo do të bëhej. Të gjithë kanë gënjyer! Kurti vazhdimisht ua bën të ditur serbëve në Kosovës se heqja e të drejtës së tyre është e përhershme dhe Beogradit se ata nuk janë gati për normalizim në terren” – ka shkruar Petkoviç.

“Për sabotimin e procesit të normalizimit, jo vetëm që Prishtina nuk u sanksionua në mënyrë adekuate, por u shpërblye duke hapur perspektiva për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare. Ne e kuptuam shumë mirë politikën perëndimore të arsinës së dyfishtë!” –  shtoi ndër të tjera korrieri kryesor i propagandës shtetërore në një postim të mbushur plot zemërim.

Ndryshe, ankesat e shefit të delegacionit serb në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd vijnë në prag të ciklit të ri të takimeve që priten të mbahen të enjten në Bruksel të Belgjikës nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Mirosllav Lajçak, ku do të diskutohet për çështjen e ndalimit të dinarit serb në territorin kosovar.

Advertisement