Aktualitet
“Na rrahën me shkop”/ U grabitën në mesnatë, çifti i të moshuarve mes lotëve: Autorët mbanin armë

Spiro dhe Dhespo Kalovioti, një çift i moshuar 78 dhe 79 vjeç, banorë të fshatit “Lefter Talo” në bashkinë e Finiqit, u bënë sot në mesnatë viktima të një grabitjeje të dhunshme. Çifti jeton i vetëm, ndërsa kryefamiljari Spiro, është edhe kryeplak i fshatit dhe menaxhon tokat e banorëve, duke i dhënë ato me qira. Sipas hetimeve paraprake, kjo ka qenë arsyeja që hajdutët ishin të informuar se në banesë mund të gjendeshin para për shpërndarje te pronarët e tokave.
Gjatë tentativës për t’u rezistuar, çifti u dhunua barbarisht. Dhespo ka marrë plagë të shumta, hematoma dhe disa qepje në kokë. “Ishin rreth orës 11:30 të natës, nuk e kuptuam si hynë në portë. Njëri ishte i gjatë, tjetri e mbante nga mbrapa. Na kërkuan lekët dhe kur u shpjeguam se i kishim dhënë pronarëve, na sulmuan me shkop,” rrëfen e moshuara.
Spiro shpjegon: “Unë si kryetar i fshatit menaxhoj tokat dhe ua shpërndaj lekët fshatarëve. Të gjitha lekët i kemi dhënë, por hajdutët e dinin se disa persona nuk kishin ardhur nga Greqia, dhe menduan se lekët i kishim ende ne.”
Dhespo tregon më tej tmerrin e natës: “Ishin të vegjël trup-masë, maska mbulonte fytyrën e tyre. Na rrahën me shkop dhe mbanin armë, por nuk mund ta shikoja qartë. Kur tentova të njoftoja policinë, telefonin e kishin marrë ata. Kunati lajmëroi vajzën, ajo lajmëroi policinë.”
Sipas familjarëve, grabitja kishte nisur që nga dita e premte, kur hajdutët kontrollonin sirtarët e dollapëve ndërsa çifti po flinte.
Policia nuk ka identifikuar ende autorët, ndërsa Spiro dhe Dhespo po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Sarandës. Kjo ngjarje vjen si pjesë e një sërë skenash dhune ndaj të moshuarve që ka ndodhur në vitet e fundit në fshatrat e Finiqit.

