Connect with us

Bota

NATO e shqetësuar/ Rutte: Gjendja e sigurisë në Kosovë dhe rajon, tepër e brishtë

Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi të mërkurën se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është e brishtë, duke përmendur në veçanti atë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë. Gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e tensionuar prej vitit të kaluar, veçanërisht pas një sulmi nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, si pasojë e të cilit u vra një polic dhe tre sulmues.

“Forcat e KFOR-it janë aty dhe aty do të qëndrojnë. Le të mos tregohemi naivë, Rusia është siç e dimë ne dhe mund ta shohim, dhe ju mund ta shihni, se po kërkon të minojë demokracitë në rajon që ne e dimë me të vërtetë. Kemi kërcënime kibernetike dhe hibride, janë absolutisht aty, dhe ju përballeni me ta dhe dezinformimi është aty. E dimë se ata përpiqen të përdorin dobësitë e brendshme për të nxitur përçarje dhe kështu ta bëjmë më të vështirë, për shembull për Prishtinën dhe Beogradin për të arritur një lloj diskutimi dhe për të gjitha pjesët e rajonit për t’u siguruar se ata i parandalojnë lëvizje secesioniste të avancojnë”.

Rutte u zotua se aleanca e NATO-s do të mbetet fuqishëm e përkushtuar për misionin e vet në Kosovë, ku ka mbi 4.400 trupa ushtarake. NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe. Ai foli edhe për përpjekjet e Rusisë për të krijuar ndasi të rajon përmes fushatave dezinformuese.

“Rusia, po ashtu, po bën përpjekje për të penguar demokracinë në rajon me kërcënime hibride dhe kibernetike, përfshirë edhe dezinformimin. Ajo po përdor ndjesitë e brendshme për të krijuar ndasi. Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një ambient të qetë dhe sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. Përkushtimi i NATO-s për KFOR-in mbetet i fuqishëm edhe sot“, tha Rutte.

Rutte, ish-kryeministër i Holandës, para dy javësh e mori përsipër rolin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s duke e pasuar në këtë post ish-shefin e aleancës, Jens Stoltenberg.

Advertisement