Kosova
NATO i drejton gishtin Serbisë për retorikën kundër Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për ndalimin e retorikës nxitëse nga përfaqësuesit serbë ndaj institucioneve të Kosovës dhe ka kërkuar nga Serbia që të tregojë lidership për uljen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në adresimin e tij para Asamblesë Parlamentare, përkatësisht në përgjigjen e tij ndaj përfaqësuesit serb, ai ka theksuar se përdorimi i termave sikurse “regjimi në Prishtinë” nuk janë të dobishëm dhe nuk i kontribuojnë qetësimit të situatës.
Duke folur për praninë e Forcës së NATO-s në Kosovë – KFOR, ai ka potencuar rëndësinë e saj për stabilitetin rajonal dhe ka garantuar se NATO do të bëjë gjithçka që kjo forcë të jetë e përgatitur dhe funksionale, duke mos iu përgjigjur përfaqësuesit serb nëse NATO planifikon rritjen apo uljen e numrit të ushtarëve në Kosovë.
Shefi i NATO-s gjithashtu ka kujtuar takimin e fundit që ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke shtuar se pret që autorët e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe autorët e “sulmeve të tjera” gjatë vitit 2023 të mbahen përgjegjës.

