Connect with us

Shkrime

Ndaleni dorën, madje mbylleni gojën

Nga Enver Bytyçi

Në Kuvendin e Kosovës është ushtruar dhunë. Disa pankarta që opozita i shfaqi në gjuhën serbe bënë që zv. kryeministri Bislimi të reagojë, por pa ushtruar dhunë. Në këtë moment djali i Sami Lushtakut ka nisë aksionin e dhunës kundër kryeministrit Kurti, ministrave të kabinetit të tij dhe deputetëve të mazhorancës. E kanë mbështetur deputetë të tjerë të Partisë Demokratike. E gjithë skena është transmetuar live dhe nuk ka nevojë për përshkrimin e ngjarjeve. Por ajo që dua të ve në dukje lidhet me disa dilema:

Së pari, më shqetëson fakti pse bijtë e “kriminelëve” janë më të dhunshëm se baballarët e tyre? Nga buron kjo urrejtje e tyre përtej kufijve të paraardhësve? Kush e nxit këtë dhunë, hakmarrje dhe inat kaq ekstrem?

Bijtë e “kriminelëve” humbin shumë më tepër sesa baballarët e tyre në kushtet e ndërtimit të shtetit të së drejtës. Bijtë e atyre që mburren me luftën dhe në emër të saj plaçkitën Kosovën, kanë vënë pasuri pa fund, janë bërë milionerë. Për këtë arsye ata i kanë hyrë politikës dhe janë bërë deputetë. Tani që shteti mund të funksionojë për të hetuar korrupsionin dhe grabitjen e pasurive kombëtare, këta ndihen të kërcënuar. Më shumë të shqetësuar janë bijtë, sesa baballarët. Kjo është arsyeja kryesore e asaj që ndodhi në parlamentin e Kosovës.

Së dyti, dilema tjetër lidhet me faktin nëse ka ose jo kryeministri i Shqipërisë dorë në këtë dhunë. Për mua nuk ka dilemë. Po! Edi Rama është porositësi i kësaj dhune. Ai reagoi menjëherë, vetëm pak pas ndodhi. Pra, ishte në pritje të ngjarjes. Është krejt evidente që aksioni i dhunshëm është kryer me entusiazëm të madh, sepse do të merrej haku kundër refuzimit të Albin Kurtit për t’u takuar me kryeministrin e Shqipërisë.

Dhe një dëshmi tjetër lidhet me faktin se në statusin e tij në Twiter,  Rama merr në mbrojtje Kurtin dhe kritikon opozitën e PDK-së!  Një ngjarje e pazakontë kjo, të kritikosh partinë e Hashim Thaçit. Për çfarë? Për “dhunë” kundër Kurtit! Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një përpjekje dëshpëruese të kryeministrit të Shqipërisë për t’u “pajtuar” me kryeministrin e Kosovës.

Së treti – Sa e shfrytëzuan këtë spiunët e Serbisë në Kosovë? Këta spiunë gjenden edhe në parlamentin e Kosovës. A u përpoqën ata t’i fryjnë zjarrit të urrejtjes dhe përçarjes? Sigurisht që po. Vetë përpjekja për ta paraqitur Albin Kurtin si “tradhtar”, është skemë e strategjisë serbe për ta demaskuar atë dhe për ta zhveshë nga ajo që thotë Baton Haxhiu, miti i patriotizmit!

Këta politikanë që me javë e kritikuan, etiketuan dhe u përpoqën ta demaskojnë kreun e qeverisë për gjoja “Mosbashkëpunim me ndërkombëtarët”, po këta tani e kritikojnë pse pranoi de eskalimin e situatës në veri të vendit. E njëjta strategji si ajo e Beogradit! Të fajësohet Kurti për kulturën destabilizuese të Beogradit!

Së katërti, ka humbur Memli Krasniqi! Është dilemë shtesë kjo. Pse Krasniqi nuk ishte pjesë e dhunës?! A mos ndoshta e kanë mënjanuar dhunuesit e shtetit?! Çfarë po ndodhë me të? Dhe nga ana tjetër pse Edi Rama nuk i jep mbështetje atij, por të fortëve grabitqarë të pasurive të Kosovës në Partinë Demokratike të Kosovës?

Për të gjitha këto arsye kam një apel për të gjithë ata që duan ta destabilizojnë Kosovën, për ata që duan të zbatojnë porositë e Edi Ramës dhe synimet e Beogradit: Ndaleni dorën e madje edhe gojën! Nuk jemi në ato rrethana që na lejohet të bëjmë lojën e anti-shqiptarëve shqipfolës dhe të Beogradit serbisht-folës!

Advertisement