Kronike
Ndërmjetës në vrasjen e Klevis Lleshit/ Vihet në pranga Sajmir Kolaveri në Itali

Saimir Kolaveri, i dyshuar si ndërmjetës në vrasjen e Klevis Lleshit është arrestuar nga policia italiane. Kolaveri dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes Aurel Hoxhës, që dyshohet se ka urdhëruar vrasjen për motive gjakmarrjeje, dhe Sahab Nuzit, i cili dyshohet ta ketë ekzekutuar vrasjen për një pagesë prej 50,000 euro. Gjithashtu Hoxha është akuzuar se dha urdhrin për vrasje ndaj Lleshit, ndërsa Nuzi u përmend si ekzekutori, që mori pagesë për kryerjen e krimit.
Si qëndron hasmëria mes fisit Lleshi dhe Hoxha?
Familja Lleshi është që prej vitit 2012 në hasmëri me familjen Hoxha nga Burreli. Zanafillë e konfliktit mes tyre është bërë vrasja dhe djegia i gjallë brenda i personit të identifikuar si Afrim Hoxha, në makinën e tij në Britani, në vitin 2012. Fisi Hoxha ka pasur konflikte me persona nga familja Lleshi dhe kanë dyshuar që vrasjen macabre në Britani e kanë bërë ata, dhe ashtu rezultoi.
Për vrasjen e Hoxhës është dënuar me burg përjetë, Arben Lleshi. Fill pas kësaj ngjarje filluan eliminimet e pjesëtareve të familjes Lleshi në Burrel. Klevis Lleshi i është vrarë babai në vitin 2013 për gjakmarrje, ndërsa në 2016-ën i është vrarë xhaxhai, para shtëpisë. Po ashtu në vitin 2016, të riut i është zhdukur edhe një kushëri.

