Politike
Ndodh çudia/ Berisha dhe Rama bëhen “bashkë” kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve

Pas kryeministrit Edi Rama, edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha ka dalë kundër kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave të tyre.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se pagat e gjyqtarëve sot janë më të lartat në Ballkan.
“Prokurorët dhe gjykatësit në Shqipëri paguhen më shumë se kolegët e tyre në Ballkan dhe njësoj me ata në disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin. Në qoftë se gjeni një qytetar që u thotë se po më ecën procesi gjyqësor pa ryshfet, urdhëroni. Sot ryshfeti ka marrë përmasat më gjigante në historinë e shtetit”, tha Berisha.
Ndonëse nuk përmendi emra, kryetari i PD-së, iu referua akuzave të bëra gjatë kohës që President ishte Bamir Topi dhe nënkryetar i KLD-së, Kreshnik Spahiu, për të cilët tha se merrnin 150 mijë deri në 300 mijë euro.
“Ka qenë një periudhë kur ky çakalli që del çdo nate që flet nga Shallvaret apo nga Berlini, bashkë me bosin e tij, Komisioni Europian në një raport investigativ i akuzon se këta merrnin 150 mijë euro për një transferim, 200-300 mijë euro për një emërim në Tiranë. Në qoftë se ka gjë në themel të shkatërrimit të atij sistemi qëndrojnë këta të dy”, deklaroi më tej Berisha.
Sipas tij “Këtë praktikë nuk e ndoqi Rexhep Meidani. Kjo praktikë u instalua me këta dy persona. Erdhën më pyetën a ta publikojmë këtë raport dhe thashë “po”. Ata nuk e publikuan sepse çakalli i KLD-së kërkoi që raporti të mos bëhet publik. Sot shifrat krahasuar me atë kohë janë dy apo trefishuar”

