Connect with us

Aktualitet

Ndodhet në burg në Spanjë, SPAK lëshon urdhër-arresti të ri dhe për Lulzim Berishën

Mes urdhër-arresteve të lëshuara së fundmi nga SPAK është edhe për kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i njohur ndryshe si Lul Berisha.

Burime për mediat bëjnë me dije se janë dy persona për të cilët është lëshuar urdhër-arresti, në kuadër të operacionit të SPAK, të cilët ndodhen në Spanjë. Një prej tyre është Lulzim Berisha, i cili është arrestuar më 10 Dhjetorit në një provincë të Alicantes në Madrid, në kuadër të operacionit të koduar “Sant Joan”, si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën. Aktualisht ai ndodhet në burg në Spanjë në pritje të ekstradimit në Shqipëri.

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Lulzim Berisha ishte në kërkim prej dy vitesh nga drejtësia shqiptare dhe konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë. Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli. Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016 dhe fitoi lirinë me kusht nga Gjykata e Apelit të Durrësit, edhe falë mbështetjes së ish-kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili i dha gjykatës garanci se Berisha do të punësohej në Bashkinë e Durrësit, nëse ai nuk gjente punë në sektorin privat.

Vendimi u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit 2021, duke e rikthyer Berishën në listën e personave të kërkuar. Në dhjetor 2020, SPAK e akuzoi Berishën dhe kunatin e tij edhe për vrasjen e Vajdin Lamajt, por tre vjet më vonë, prokurorët kërkuan pushimin e akuzave në gjykatë për mungesë provash.

Advertisement