Connect with us

Aktualitet

Ndotja e liqenit të Shkodrës, ekspertët ngrenë alarmin: Probleme serioze

Ekspertë nga Shqipëria dhe Mali i Zi publikuan në Shkodër rezultatet e studimit 2- vjeçar mbi nivelin e ndotjes së ujit në Liqenin e përbashkët të Shkodrës, studim i cili është financuar nga Programi IPA II i Bashkimit Europian. Sipas studimit, në disa nga pikat e monitoruara shfaqen probleme serioze me praninë e metaleve të rënda dhe të pesticideve të rrezikshme. Studimi nxjerr në pah nevojën e monitorimit të vazhdueshëm të ujërave të këtij liqeni.

Studimi mbi situatën e ndotjes kimike në Liqenin e Shkodrës, më i madhi në Ballkan, është realizuar nga Qendra e Kërkimeve Ekotoksikologjike në Podgoricë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe shoqatën Green Centre Albania.

Studimi është pjesë e Programit IPA II, bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri-Mali Zi, financuar nga Bashkimi Europian. Pedagogia e Universitetit të Tiranës, Alma Shehu, thotë se situata e ujërave në Liqenin e Shkodrës u monitorua për një periudhë dy vjeçare si në anën shqiptare të liqenit, ashtu edhe atë të Malit të Zi.

“Problematika kryesore janë sedimentet, ku metalet janë shfaqur në të gjithë stacionet. Janë rreth 14 stacione, të monitoruar në të dy zonat, pjesën shqiptarë dhe atë të Malit të Zi. Dua të them se pjesa malazeze karakterizohet nga përmbajtje më të larta. Megjithatë, pasi janë llogaritur indekset e efekteve toksike të këtyre metaleve, ka rezultuar se disa pika shfaqin probleme serioze dhe risk serioz në lidhje me përmbajtjen e metaleve të rënda”, tha ajo.

 

 

Për një periudhë dy vjeçare, thotë pedagogja Shehu, janë analizuar mostrat e ujit në 14 stacione, 4 prej të cilëve në territorin shqiptar të liqenit dhe dhjetë në pjesën malazeze.

“Në “Direktivën Kuadër të Ujit” të BE-së (WFD), substancat që paraqesin rrezik për njerëzit dhe mjedisin klasifikohen si substanca prioritare dhe këtu përfshihen edhe disa lloje pesticidesh, që vazhdojnë të përdoren nga fermerë të zonës së bregut të liqenit”, thotë përfaqësuesja e Qendrës së Kërkimeve Ekotoksikologjike në Podgoricë, Danijela Sukoviç.

“Ne e dimë se shumë fermerë, që merren me agrikulturën, përdorin pesticide të ndaluara 20 vite më parë në BE. Në disa prej mostrave që kemi marrë, si në ujërat e Malit të Zi, ashtu edhe ato të Shqipërisë, kemi vërejtur elemente të këtyre pesticideve të ndaluara. Ndaj, është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi i publikut për dëmin që sjellin këto pesticide të ndaluara nga BE si për njerëzit, ashtu edhe për mjedisin. Për këtë, duhet të ketë marrëdhënie të mira bashkëpunimi në mes institucioneve shkencore, universiteteve, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe vetë banorëve që jetojnë në këtë territor ku zhvillohet edhe turizmi”

Studimi “Liqeni i Shkodrës pa ndotje kimike -Zgjidhje” është i pari i këtij lloji që realizohet gjatë 30 viteve të fundit. Profesor Julian Shehu thotë se Liqeni i Shkodrës është një pasuri e rëndësishme natyrore dhe turistike për të gjithë rajonin e Ballkanit, ndaj është i nevojshëm monitorimi i vazhdueshëm i cilësisë së ujërave.

“Me kaq ekspedita sa bëjmë ne, apo në kuadër të projekteve apo miniprojekteve, nuk mund të monitorosh një liqen, një lum apo një vijë bregdetare. Ne duhet të kemi stacione për monitorimin e tyre gjatë gjithë periudhës kohore, gjë që vendet e tjera europiane që na rrethojnë e realizojnë, sidomos përpara periudhave të tilla të plazhit siç jemi tani”, thotë ai.

Projekti “Liqeni i Shkodrës pa ndotje kimike – Zgjidhje” synon të ndihmojë në monitorimin e pranisë së substancave prioritare dhe sedimenteve në ujërat e liqenit të përbashkët, në përputhje me kërkesat e “Direktivës Kuadër të Ujit” të BE-së./VOA

Advertisement