Connect with us

Kosova

Në barrikadën e Banjskës, ishte edhe bashkëpunëtor i afërt i djalit të Vuçiç

Ministri i Punëve të Brendshme ka njoftuar se në vendin ku grupi terrorist  sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator,  kanë gjetur dokumentin personal dhe makinën e Milorad Jevtiç, qe siç thotë Xhelal Sveçla, njihet si bashkëpunëtor i afërt i Danilo Vuçiç, djali i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe shtoi se në 5 vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, ai kishte qenë me atë makinë. Milorad Jevtiç, tha Ministri Sveçla, “është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”. Sveçla tha se “mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”. Kujtojmë se më 24 shtator, një grup i armatosur terrorist sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.  Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, u arrestua dhe u la i lire 24 ore me pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

 

Advertisement