Connect with us

Rajon

Në Beograd do të ketë zgjedhje të reja/ Fundi i afërt i presidentit serb

Në Beograd do të ketë zgjedhje të reja, pas atyre të 17 dhjetorit, të cilat u kontestuan nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, të cilët pretendojnë se procesi zgjedhor në përgjithësi – posaçërisht në kryeqytet – ishte manipuluar nga Partia Progresive Serbe (SNS).

Vendimi për zgjedhjet e reja në Beograd është marrë nga Kryesia e SNS-së – partia e presidentit serb Aleksandër Vuçiç – pasi që kandidati i tyre, i cili u shpall fitues, Aleksandër Shapiç, nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën në kuvendin komunal të Beogradit.

Rekomandimin që të shkohet në zgjedhje të reja, SNS-së ia ka dhënë ish-kryetari, apo kryetari de facto i saj, Vuçiç, mëngjesin e së shtunës, ka thënë se i ka kërkuar listës zgjedhore të lidhur me SNS-në që të shkojë në zgjedhje të reja në Beograd.

Vucic i ka bërë thirrje qeverisë që drejtohet nga Ana Branbiç që t’i zbatojë rekomandimet e bëra nga Zyra e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), në raportin përfundimtar që u publikua para pak ditësh në lidhje me zgjedhjet parlamentare dhe pjesërisht lokale të 17 dhjetorit.

ODIHR, raportin përfundimtar për zgjedhjet në Serbi e publikoi më 28 shkurt, në të thuhet se edhe pse teknikisht të mirëadministruara dhe duke u ofruar votuesve një zgjedhje të alternativave politike, “zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë në vitin 2023, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, e cila, së bashku me avantazhet sistematike të partisë në pushtet, krijoi kushte të padrejta për garuesit”.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për manipulime, duke i cilësuar ato të sajuara dhe që synojnë destabilizimin e Serbisë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe avantazheve që i krijon sistemi partisë në pushtet, kurse politikanët e opozitës thanë se zhvillimet në Beograd dëshmuan se presidenti Vuçiç humbi pushtetin prej një dekade në kryeqytetin serb.

Opozita dhe disa vëzhgues lokalë të zgjedhjeve thanë se votues nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobusë në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçi është përballur me akuza për kufizimin e lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin mbi një dekadë më parë.

Advertisement