Kronike
Në kërkim për drogë e falsifikim dokumentesh, pranga të riut në Shkodër
SHKODËR- Një 32-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës. Ai rezultonte në kërkim për përfshirje në kultivim të lëndëve narkotike dhe për falsifikim dokumentesh. Gjykata kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg”. Blutë e Shkodrës thonë se i arrestuari është shtetasi Nikollë Livalli.
Ai u shpall në kërkim në prill të viti të shkuar, pasi në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë , ushtronin në formën e grupit, veprimtaritë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis dhe falsifikimit të dokumenteve.
Njoftimi i Policisë:
Operacioni “Triple” u zhvillua në prill të vitit 2022 dhe goditi shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe falsifikimin e dokumenteve, që kryheshin nga 4 shtetas që vepronin si grup.Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Shkodër, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar në kuadër të operacionit “Triple”, kanë lokalizuar në lagjen “Liria”, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin:
-N. L., 32 vjeç, banues në Shkodër.
Ndaj 32-vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.