Kosova
Në vitin 2024 pritet një raund i dytë i përshkallëzimit në Kosovë
Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi përmes një postimi në platformën “X”, se në vitin 2024 pritet një “raund i dytë” i përshkallëzimit të tensioneve në Kosovë, posaçërisht në pjesën veriore të territorit që banohet kryesisht me serbë etnikë.
Stradner, këshillitare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, përmendi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, ndaj trupave të Forcës së NATO-s (KFOR), duke alarmuar se përgjatë vitit pritet edhe një skenar i ngjashëm sikurse në vitin paraprak.
Duke komentuar interesimin e Armenisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, për shkak të rrethanave gjeopolitike, ajo deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani presin që edhe Serbia të ndjek të njëjtën rrugë, porse shtoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, për momentin është i interesuar vetëm në mbështetjen financiare që ofron blloku.
“Kjo është ajo çfarë Uashingtoni priste gjithashtu nga Serbia, por Vuçiç është përfaqësuesi i Rusisë që do vetëm paratë perëndimore, kështu që ky plan nuk do të funksionojë. Vitin e kaluar 90 paqeruajtës të NATO-s u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në veri të Kosovës. Në vitin 2024 pritet një raund i dytë”- paralajmëroi për herë të dytë Stradner. Disa javë më herët, ajo tha në një intervistë për gazetën serbe “Danas” se Kosova është pjesë e strategjisë malinje të Rusisë për të dëshmuar dobësinë e NATO-s para botës, përmes nxitjes dhe përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
Nga ana tjetër, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor, i ngjeshur nga tensionet.