Kosova
Në vrimën e miut u futën nga Kurti/ Arsenijeviç për anëtarët e Listës Sërpska
Kryetari i Demokracisë Serbe, Aleksandër Arsenijeviç, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, deklaroi se në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Leposaviqin dhe Zubin Potokun – dy komuna të banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, përfaqësuesit e Listës Sërpska u strukën gjatë ditës në “vrimën e miut”.
“Lista Sërpska ka nëntë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës dhe në bazë të përllogaritjeve ka marrë 360 mijë euro. Ata deputetë duhet të kishin dalë në terren dhe te pyesnin Kurtin se çfarë dreqin po bën në veri dhe jo të fshiheshin në birën e miut si zakonisht” – shkroi kreu i këtij subjekti të vogël opozitar që operon në pjesën veriore të territorit të Kosovës.
Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi e kategorizoi “provokim” vizitën e Kurtit në atë zonë të banuar kryesisht me serbë, ndërsa akuzoi KFOR-in dhe EULEX-in që e lejuan. Madje, korrieri kryesor i propagandës serbe e cilësoi “okupator” kryeministrin e Kosovës që shfrytëzoi një të drejtë kushtetuese, duke vizituar dy komuna brenda territorit kosovar.
Kujtojmë se, kjo është vizita e parë e shefit të Qeverisë së Kosovës prejse nisën tensionet në veri vitin e kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj eskaloi në protestë të dhunshme.