Connect with us

Kosova

Negociatat SHBA-Rusi, trupat amerikane mund të largohen edhe nga Kosova?

Pas rivendosjes së kontakteve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Arabinë Saudite, mediat ndërkombëtare japin alarmin se ekziston një shqetësim i madh në shumë vende të Evropës për tërheqjen e trupave amerikane.

“Italia po përgatitet për një tërheqje të mundshme edhe të trupave amerikane nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetme në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së fuqishme serbe”, shkruan gazeta gjermane ‘Bild’.

Në shkrimin e ‘Bild’, “Evropa në frikë! Shërbimet sekrete kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane”, shkruhet mes të tjerash se shërbimet e sigurisë perëndimore dhe politikanët kanë frikë se negociatat që filluan në Riad mund të çojnë në dhënien fund të pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës.

“Sipas informacioneve tona, bëhet fjalë për kërkesat e Putinit në 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990”, thekson gazeta.

 

Një skenar i rastit më të keq, të cilit shumë ekspertë i druhen, është “një pushtim i menjëhershëm i ushtrisë ruse në ish-republikat sovjetike”, respektivisht Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe “një lufte në shkallë të gjerë me Poloninë”.

 

Në lajmin e gazetës gjermane përmendet edhe postimi në platformën sociale X nga ish-ministri lituanez i Punëve të Jashtme, Gabrielius Landsbergis.

“Lavrov kërkoi që NATO të kthehet në kufijtë e saj të vitit 1997 dhe të tërhiqet nga të gjitha vendet, përveç Gjermanisë Lindore në interes të stabilitetit në Evropë. Pra, pse të mos e kërkojë Putini këtë në Riad?”, shkroi Landsbergis.

Gjithashtu në lajm përmendet edhe analiza e ‘Financial Times’, e cila thekson se, “Putini dëshiron që trupat e NATO-s të tërhiqen nga e gjithë ish-perandoria sovjetike. Zyrtarët evropianë besojnë se duket që Trump do të pranojë të tërheq trupat amerikane nga Baltiku dhe ndoshta më në perëndim. Kjo do ta linte BE-në të pambrojtur kundër një ushtrie ruse”.

 

Advertisement