Connect with us

Kosova

Nenad Rashiç: Një vit nga largimi i serbëve, Lista Serbe mbolli pasoja

Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e vendit kanë sjellë shumë pasoja.

Duke përmendur Listën Serbe si nxitëse të dorëheqjeve, ai ka theksuar se personalisht ka bashkëpunuar me këtë parti me ndikim në Veri, por që sipas tij, krerët e saj kanë ndërtuar “murin” e Berlinit si mbrojë për mosbashkëpunim.

“Është ndërtuar një mur, muri i Berlinit. Kam qenë i vetmi për largimin e këtij mur. Ne nuk kemi fituar asgjë” – deklaroi Rashiç në Qendrën Mediale në Çagllavicë ku është mbajtur debati me temën “Një vit pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës – çfarë fituan dhe çfarë humbën”.

Ai tregoi se me largimin e tyre kanë humbur profesionistët dhe tani po mungojnë edhe nëpunësit e licencuar dhe të kualifikuar.

“Ata që janë larguar nga institucionet, nuk është dashur që të largohen. Nuk e di a kanë mundësi që të kthehen serbët në Veri të Kosovës. Së pari ne kemi humbur njerëzit dhe kohën, kemi nëpunës profesionistë. Tani duhet t’i kthejmë gishtin vetes dhe me sa kemi mundësi të ndryshojmë – potencoi ministri serb.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës vitin e kaluar çoi në një sërë krizash në rajonin ku jeton popullata shumicë serbe. Përveç njerëzve në gjyqësor, polici dhe administratë, dorëheqje kanë dhënë edhe katër kryetarë komunash në veri nga radhët e Listës Serbe.

Megjithatë, Lista Serbe në mes të tetorit ka njoftuar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës, edhe pse nuk janë plotësuar kushtet e mëparshme për kthim apo pjesëmarrje në institucionet e Kosovës.

 

Advertisement