Connect with us

OPINION

Nënë Tereza, Shteti bektashian dhe njëqind fjalët në erën e IA

Nga Veton Surroi
1.

Kryeministri E.Rama i shqiptoi në New York, në një konferencë liderësh në OKB 100 fjalë prej fjalimit 747 fjalësh që mund të shërbejnë për një analizë shumë më të thelluar e të gjatë të marrëdhënies mes faktit, besimit e politikës në kohën e inteligjencës artificiale. Meqë analiza më e thelluar do të kërkonte më shumë kohë e hapësirë, ja një version i shkurtër.

Njëqind fjalët (101 për të qenë krejtësisht të saktë) të Kryeministrit Rama janë këto:

“Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin. Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!”.

Paragrafi është i kontestueshëm që nga fjalia e parë (“Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza…”)  e cila është faktikisht e pavërtetë.

Nënë Tereza është shpallur si Nënë Tereza e Kalkutës, për akte të cilat siç shpjegoi Papa, që nga momenti kur në Kalkuta mori thirrjen e Krishtit më 1946,  merituan kanonizimin e saj. Sipas vetëdeklarimit të Gonxhe Bojaxhiut, vajzës së lindur në Shkup nga dy prindërit shqiptarë të Kosovës, thirrja e parë e Krishtit për të qe gjatë pelegrinazhit te Zoja e Madhe e Kishës së Letnicës në Kosovë, më 1927. Një vit më vonë, sipas rrëfimit të saj, iu përgjigj thirrjes së Krishtit duke shkuar në mesin e Motrave të Loretos në Irlandë, e më pastaj një jetë të tërë në Kalkuta. Në këtë shtjellim faktesh, nuk rezulton që “Shqipëria ia dha botës” Nënë Terezën gjegjësisht Shën Terezën.

Pjesa e dytë e fjalisë për Nënën Terezë, se është shenjtorja më e re, është po ashtu e pavërtetë. Prej kanonizimit të Shën Terezës së Kalkutës më 2016, në Vatikan janë shpallur mbi 20 shenjtorë të rinj nga gjithandej bota.

2.

Ndërsa konstatimi për “shenjtoren më të re” mund të jetë një lapsus-u ndodh të gjithëve, pra edhe kryeministrave-konstatimi se Shqipëria ia dha botës Nënë Terezën është një besim i ndërtuar mbi një të pavërtetë. Ky besim është ndërtuar mbi një proces të veçantë adoptimi të Nënës Terezë prej rënies së komunizmit në Shqipëri. Si shqiptare etnike, fituese e çmimit Nobel dhe misionare katolike ajo u adoptua si simbol i Shqipërisë post-komuniste- e barasvlershme me simbolet si Coca Cola, Volkswagen apo edhe vetë kryqi që u rikthye nga fshehtësia e imponuar nga terrori i Enver Hoxhës. Njëherë e adoptuar, madje prej një shumice që nuk është katolike, ajo u shndërrua në “pronë”. Dhe, kështu, del se Shqipëria ia dha botës Shën Terezën.

Dallimi mes faktit dhe besimit (në ngjarje, rrëfime, etj) mund të ekzistojë në zanafillë (Nënë Tereza mund të jetë e Kalkutës, e ndoshta disi larg edhe e Letnicës e megjithatë nuk është e Shqipërisë)  por në cak fakti dhe besimi janë në garë për ta akomoduar veten, të gjejnë sa më shumë hapësirë. Kështu në OKB, në fjalimin e kryeministrit Rama u gjet besimi për Nënë Terezën, jo faktet.

Gara mes besimit dhe fakteve është tashmë njëra prej garave më të rëndësishme të shekullit XXI. Kjo garë arrin madje mu në zemër të funksionimit të sistemeve demokratike. Demokracia, shpjegon Yuval Noah Harari në librin e tij “Nexus” është një bisedë. Gjegjësisht, është një bisedë me shumë burime e shumë nyja, një bisedë e cila ndërton një sistem vetëkorrigjues e në të cilin mediet, opozita, gjyqësori,  ligjvënia e shoqëria civile kanë rastin të kontestojnë rrëfimet që i jep pushteti ekzekutiv, e që në këtë proces kontestimi dalin të jenë të korrigjueshme.

Gara më dramatike (dhe gjithsesi e skajshme krahasuar me këtë të Nënë Terezës) që po zhvillohet ditën e sotme është në SHBA, në zgjedhjet presidenciale. Gjatë kësaj gare, kandidati republikan Trump, si ilustrim i problemeve me imigracionin, ka deklaruar se imigrantët haitianë po i hanë qentë dhe macet e banorëve të qytezës Springfield në Ohio. Ky konstatim nuk u mbështet në fakte, sepse faktet tregojnë se haitianët jo vetëm që nuk i hanë macet e qentë e banorëve të Springfieldit, por janë punëtorë të kërkuar nga industria e atyshme. Megjithatë, ky konstatim është tashmë besim dhe në zgjedhjet presidenciale një numër i votave do t’i  shkojnë kandidatit Trump për besimin se haitianët kanë preferencë ushqimore qentë e macet e Sprigfield në Ohio.

3.

Nënë Tereza e fjalimit të kryeministrit Rama u përdor si simbol i fuqishëm global.

Shqipëria e vogël që pretendohet se dha një personalitet të madh si Nënë Tereza tash do t’ia japë botës edhe një simbol të madh global,  një version të Vatikanit mysliman, në formën e vet më liberale e spirituale, atë të Shtetit bektashian brenda kryeqytetit të Shqipërisë.

Por, fakti është se ky debat nuk është zhvilluar. Pra, Shqipëria që “ia dha botës shenjtoren më të re”, do t’ia japë botës një Vatikan mysliman dhe ky lajm është bërë i ditur për qytetarët e Shqipërisë nga një artikull në “The New York Times” dhe nga 101 fjalët e fjalimit 747 fjalësh të kryeministrit në New York.

Në vend të bisedës-asaj që bën thelbin e demokracisë-“Vatikani mysliman” ka hyrë si një besim, një besim se meqë është përmendur në “The New York Times”, e në fjalimin në OKB ky projekt tashmë shndërrohet në fakt. Çështjet procedurale- si ligjet, Kushtetuta, Parlamenti, opozita, shoqëria civile, mediet-janë të përqendruara në fakte, por faktet konsiderohen si të parëndësishme në deklarimet e kryeministrit, qoftë në gazetën amerikane, qoftë në fjalimin e tij në OKB.

Në fjalimin e tij, nuk ekzistojnë institucionet që do të korrigjonin deklarimin e kryeministrit. Kështu, Shteti bektashian kështu hyri në vazhdën e projekteve në të cilat kryeministri Rama ka preferencë vendimmarrje personale: si do të duket Teatri, sa kat do të jetë kulla në këtë apo atë lokacion, kush duhet të jetë arkitekti që bën projektin e rezortit të radhës në brigjet e Jonit, cila pjesë e tokës afër Shëngjinit duhet t’i jepet në shërbim shtetit italian për të strehuar azilkërkuesit potencialë afrikanë që nuk patën fatin të arrijnë në brigjet e Italisë…?

4.

Kryeministri Rama gjatë këtij viti ka deklaruar se Shqipëria do ta shfrytëzojë inteligjencën artificiale për tenderë publikë, përkthimin e dokumentacionit të BE-së që nevojshëm për negociatat e anëtarësimit e kështu me radhë.

Inteligjenca artificiale i ka përparësitë e mëdha dhe mangësitë po ashtu si çdo teknologji në shërbim të njeriut; në fund varet se si përdoret nga vet njeriu.  Kryeministri Rama ka mundur të përdorë këtë teknologji të re si zëvendësim të bisedës publike, apo për t’i paraprirë bisedës publike lidhur me idenë e themelimit të Shtetit bektashian. Fundja, teknologjia e ChatGPT është e bazuar në kapacitetin e procesimit të bisedave që zhvillohen në hapësirën kibernetike.

Ja çka ka mundur të marrë si përgjigje për më pak se një minutë interaksioni:

Pyetje për ChatGPT: si mund të themelohet shteti bektashian, i modeluar sipas Vatikanit, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë?

ChatGPT thotë:

Themelimi i një shteti bektashian të modeluar sipas Vatikanit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë do të kërkonte një proces të ndërlikuar ligjor, politik dhe ndërkombëtar. Ja disa elemente kryesore që do të duheshin marrë parasysh:

1. Kushtetuta e Shqipërisë

Kushtetuta aktuale e Shqipërisë e përcakton vendin si një shtet laik dhe garanton lirinë e fesë pa favorizuar ndonjë religjion të veçantë. Për të krijuar një shtet brenda shtetit, siç është modeli i Vatikanit, do të nevojiteshin ndryshime të mëdha kushtetuese. Do të kërkohej një amendament që do të lejonte një entitet fetar të kishte sovranitet të caktuar.

2. Ndryshime ligjore dhe marrëveshje ndërkombëtare

Ashtu siç Vatikani ka statusin e një shteti të pavarur në brendësi të Italisë, Shqipëria do të duhej të ratifikonte ligje të posaçme dhe të lidhej me një marrëveshje dypalëshe me këtë entitet të ri fetar. Marrëveshjet ndërkombëtare do të përfshinin njohjen e tij nga komuniteti ndërkombëtar.

3. Sovraniteti dhe territoret

Vatikani është një mikro-shtet me territor të kufizuar, por që gëzon sovranitet të plotë. Krijimi i një shteti bektashian do të nënkuptonte ndarjen e një pjese të territorit shqiptar që të funksiononte si entitet autonom. Kjo do të kërkonte një marrëveshje të brendshme me autoritetet shqiptare dhe konsensus kombëtar.

4. Roli i Komunitetit Bektashian

Për të pasur një model si Vatikani, komuniteti bektashian duhet të kishte një udhëheqës të pranuar universalisht, i cili do të funksiononte si kreu i këtij shteti të ri. Rëndësia e tij fetare dhe diplomatike do të ishte kyçe në përcaktimin e statusit ndërkombëtar dhe të funksionimit të tij.

5. Legjitimiteti ndërkombëtar

Vatikani është njohur ndërkombëtarisht si një entitet i veçantë për shkak të historisë dhe ndikimit të tij shekullor në skenën ndërkombëtare. Një shtet bektashian do të kishte nevojë për mbështetje dhe njohje ndërkombëtare nga organizata si OKB-ja dhe BE-ja për të fituar të njëjtin legjitimitet.

6. Ndikimi politik dhe fetar

Një model si Vatikani në Shqipëri do të kishte ndikime të thella politike dhe fetare. Duhet të kishte një dialog të hapur midis komuniteteve fetare të vendit për të siguruar që krijimi i një entiteti të tillë nuk do të shkaktonte përçarje ose tensione brenda shoqërisë shqiptare, e cila është një miks i traditave fetare dhe kulturave.

Në përmbledhje, krijimi i një shteti bektashian sipas modelit të Vatikanit është një ide e cila kërkon jo vetëm transformime të thella ligjore dhe kushtetuese, por gjithashtu një konsensus të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.

5.

ChatGPT e as ndonjë teknologji tjetër e IA nuk është e pagabueshme; përgjigjet e dhëna mund të kontestohen, madje edhe të zëvendësohen me argumente të tjera. Por, mbase ia vlen të shënohet ekzistenca e përgjigjeve si një përkujtim i thjeshtë për pushtetet të cilat, të mësuara të bisedojnë me veten e ta dëgjojnë veten, kanë mundësi të konsultohen me dikë tjetër që mund të flasë, qoftë ky dikush tjetër një algoritëm./Koha Ditore

Advertisement