Connect with us

Shkrime

Nëse Kosova është zemra e Serbisë, lamtumirë Serbi

Nga Srećko Mihailović

Patriotizmi është dashuri për veten kurse nacionalizmi, urrejtje për të tjerët. Është e thjeshtë, dallohen lehtë, edhe Zoti kështu na dallon nga njëri – tjetri.

Në këtë kontekst, ka disa pyetje blasfemuese, për disa metafizike e për të tjerë pragmatike. Kosova është zemra e problemeve të shtetit serb apo Kosova është zemra e popullit serb apo është vetëm zemra e problemeve të elitës politike serbe? Në të njëjtën kohë, disa harrojnë e të tjerë kujtojnë se Serbia e humbi luftën për territorin e Kosovës në vitin 1389 dhe gjashtë shekuj më vonë, në vitin 1999. Serbët janë larguar nga Kosova për gati 340 vjet dhe ende jetojnë pak të tillë atje.

Elita aktuale politike serbe kujdeset më shumë për territorin apo për serbët në Kosovë?

Në të njëjtën kohë, nuk ka dyshim se përsa i përket dëshirave, elita politike serbe do ta preferonte territorin e Kosovës të ishte pa shqiptarë, duke e treguar dëshirën e saj në fillim dhe në fund të shekullit të kaluar.

Elita serbe nuk e ka problem që nuk do ta dallojë realitetin nga ëndrrat dhe iluzionet më të thjeshta. Ashtu si dhe vargu në këngën e Mika Antiç –  “Nganjëherë shpik të tashmen, që të kem ku të kaloj natën” – politikanët serb zbuluan parimin – “Shpik të tashmen, që të kem një vend ku të mbijetoj” – pasi realiteti virtual, e sidomos e shkuara, janë të të rëndësishme në politikën serbe sesa realiteti real dhe një e ardhme më e mirë

Nëse Kosova është zemra e Serbisë, atëherë lamtumirë Serbi! Nëse Kosova është në zemrën e Serbisë, atëherë Serbia mund të jetojë. Nacionalistët serbë thonë se Kosova ishte dhe se Kosova është zemra e Serbisë. Edhe pa serbët.

Nacionalistët serbë duan që Kosova të jetë në Serbi pa shqiptarë, madje edhe pa serb. Nacionalizmi serb është si ata zogjtë e vegjël që godasin dhe gllabërojnë zemrën e Prometeut. Nacionalizmi serb ha zemrën dhe shpirtin e popullit serb, dhe një popull pa zemër e shpirt mbetet popull pa mendje!

Në patriotizmin hyjnor nacionalist serb, fshihen ato grupe shoqërore të karakterit klasor që janë përgjegjëse për fatkeqësitë e popullit serb.

Ekzistenca e armiqve realë apo virtualë është një kusht i domosdoshëm për të mbajtur gjallë nacionalizmin dhe patriotizmin në Serbi. Pa armik, nuk ka asnjë ideologji që të ketë përgjigje për të gjitha pyetjet tona, zgjidhje për të gjitha problemet dhe ngërçet tona. Në Serbi kërkojnë armiq edhe aty ku nuk ka. Në fund të fundit ata edhe duhet shpikur…se çfarë do të bënim pa ta!

Advertisement