Connect with us

Aktualitet

Nesër protesta për largimin e Veliajt, Policia bllokon sërish rrugët

Ditën e nesërme në orën 10:00, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita kanë planifikuar për të mbajtur protestën e dhjetë radhazi para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe marrjen e tij të pandehur për aferën korruptive “5D” ku drejtorët e bashkisë kishin krijuar kompaninë e tyre për të marrë tenderat e bashkisë, si dhe për incenratorin ku janë paguar qindra miliona euro dhe nuk ekziston.

Ndërkohë, çdo protestë godina e bashkisë është blinduar dhe qindra efektivë Policie janë vënë në mbrojtje të korrupsionit të Veliajt.

E njëjta gjë, pritet edhe në protestën e nesërm, ku Policia ka bërë publike masat e ndërmarra, ku sërish do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugën pranë bashkisë që prej orës 09:30.

Policia e Shtetit:

Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e nesërme, më datë 04 qershor 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, punonjësve të mediave dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.

Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, njofton policia.

Advertisement