Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, dhe ai i Financave, Bezalel Smotrich, i kanë kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu të urdhërojë pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, përfshirë qytetin e Gazës. Kërkesa u bë gjatë një mbledhjeje të kabinetit dhe u raportua nga transmetuesi Channel 14.

Ndërkohë, Netanyahu, në një video të publikuar në rrjetin X, e quajti vizitën e tij të fundit në Uashington me presidentin Donald Trump “një sukses të madh”. Ai hodhi poshtë akuzat se po bllokon një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, duke fajësuar median izraelite për përhapje të propagandës së Hamasit.

Sipas tij, Izraeli ka pranuar propozimet për armëpushim të sugjeruara nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, ndërsa Hamasi i ka refuzuar. Netanyahu tha se Hamasi kërkon të qëndrojë në Gaza për t’u riarmatosur dhe për të sulmuar sërish, gjë që ai nuk e pranon.

Ai ritheksoi dy objektivat kryesore të luftës: lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit, duke theksuar se Gaza nuk duhet të përbëjë më një kërcënim për Izraelin.