Aktualitet
Nga filxhanët e kafes te imazhet familjare, FOTOT e pazakonta që emigrantët po i nisin KQZ!
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/kafe.jpg)
Mbi 153 mijë kërkesa kanë bërë emigrantët shqiptarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet e 11 majit dhe thuajse të gjitha kërkesat janë shqyrtuar.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, nga 125,477 zgjedhës (unikë) që kanë bërë kërkesë për regjistrim, 97,264 prej tyre ju është miratuar kërkesa, ndërsa 27,892 të tjerëve u është refuzuar
Por ajo çka shihet si problematikë në procesin e regjistrimit nga vetë KQZ është mungesa e vëmendjes për të ndjekur videot dhe manualet ndihmëse në platformën PER, të cilat ua lehtësojnë procedurën e regjistrimit.
Vetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka ndarë në një postim në Facebook, dhjetëra foto nga më të pazakontat që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë ngarkuar në platformë, për të provuar adresën e tyre apo statusin civil.
Çka bie në sy është masiviteti i fotove në çift, apo edhe familjare që janë ngarkuar nga ana e shqiptarëve të Diasporës, kryesisht për t’i dhënë përgjigje pyetjes mbi statusin e tyre civil.
Por aty mund të gjesh edhe foto filxhanësh, apo të tjera imazhe që nuk përkojnë me informacionin e kërkuar nga KQZ.
Sakaq, Celibashi u bën thirrje bashkakombësve jashtë vendit që të ndjekin me përpikmëri manualet ndihmëse në platformën PER për të mësuar se si të regjistrohen.
“Që nga data 11 Janar 2025 në Platformën PER, tek Butoni NDIHMË gjenden videot, tutorialet dhe manualet ndihmuese për regjistrimin si Votues Nga Jashtë. Lutemi aplikuesit t’i shohin me vëmendje para se të gabojnë me aplikimin e tyre si në fotot në vijim. Në PER mund të riaplikohet pa limit deri në 4 Mars 2025, ndaj KQZ Shqipëri sjell në vëmendje Butonin Ndihmë dhe Qendrën e Ndihmës Non-Stop të PER tek i njëjti buton. Shpërndajeni postimin për të informuar miqtë dhe të afërmit tuaj jashtë vendit”, shkruan Celibashi.
![](https://i0.wp.com/cdnimpuls.com/voxnews.al/media3/-640-0-475126834-998676635644501-3659420382458875254-n-1738936690.jpg?w=740&ssl=1)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)