Connect with us

Aktualitet

Nga hetimi i 21 janarit te Arben Ahmetaj, flet kreu i SPAK

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, këtë të hënë të 8 korrikut ka zhvilluar një takim informal me gazetarët – pas gjashtë muajve nga takimi i fundit – ku iu përgjigj interesit të mediave për çështjet më të nxehta.

Fillimisht Dumani nuk ka lënë vend për hapësirë sa i takon dosjes së 21 janarit, duke deklaruar se SPAK do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe do të ndiqet procedura normale.

Kreu i SPAK ka nënvizuar se do të ketë nevojë për koordinim me prokurorinë e Tiranës.

Javën e shkuar Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e saj të plotë sa i takon çështjes së 21 janarit, ku ka kërkuar që të rihetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Më parë, SPAK pati vendosur të mos regjistronte procedim për 21 janarin, por familjarët e viktimave e ankimuan këtë vendim dhe e kundërshtuan SPAK-un.

Çështja tjetër mbi të cilin është pyetur Dumani ishte ajo e dosjes Partizani, për të cilën kreu i SPAK deklaroi se ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, ka pasur një hetim pasuror.

“Janë bërë hetimet pasuror për Berishën”, është shprehur Dumani.

Mbi dosjen për kompleksin “Partizani” Dumani tha se ajo do të dërgohet në gjykatë sapo të përfundojnë hetimet.

“Janë grumbulluar të gjitha provat dhe ajo qe dihet është që është çështje nën hetim”.

Më tej, interes nga gazetarët pati edhe për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, ku Dumani sqaroi se është bërë kërkesa për ekstradim.

“Që ditën që kemi bërë kërkesën për ekstradim jemi në pritje”, tha kreu i SPAK duke mos dhënë detaje të tjera.

Ai u pyet edhe në lidhje me çështjen e mikrokredive, referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur para SPAK ku një qytetar i dha fund jetës duke pirë fotoksinë.

Dumani tha se SPAK nuk heton kallëzimet e qytetarëve, por po heton një çështje që lidhet me kompetencat e veta.

Advertisement