Aktualitet
Nga Martinajt tek Malltezi e Kryemadhi/ Vila dhe biznese, 301 prona të sekuestruara nga SPAK

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka publikuar për herë të parë pasuritë e sekuestruara, me synimin për të rritur transparencën dhe efektivitetin e administrimit të këtyre pasurive.
Në një katalog me 615 faqe pronat janë publikuar me pamje në të cilat jepen edhe të dhëna për çdo objekt, shpaloset edhe pasaporta me sipërfaqen, koordinatën në hartë, fotot dhe vlera që ajo ka sot në treg.
Libri përfshin gjithë territorin e vendit, dhe janë afro 300 prona të sekuestruara, numri më i madh i të cilave janë në Tiranë dhe Vlorë. Nëse ndalemi në kategorinë e pronave të sekuestruara përfshihen që nga vilat luksoze, apartamentet, garazhet, toka bujqësore, biznese të ndryshme e deri tek automjetet.
Mes qindra pronave, në listë janë pasuritë e politikanëve por dhe eksponentëve të krimit të organizuar.
Duke nisur nga Tirana në sy bien prona të sekuestruara të dhëndrit të Ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Apartamente, biznese, lokale palestra e deri tek bodrumet dhe garazhet. Kjo është një ndër vilat luksoze e pozicionuar në Gjirin e Lalzit anës plazhit, me sipërfaqe 187 metra katrorë, e vlerësuar sipas AASK rreth 11.9 milionë lekë.
Më tej vihen re dhe pronat e ish-bashkëshortes së Ilir Metës, Monika Kryemadhit. Në zonën e Kodrës së Diellit, 2 katëshe me vlerë 51.7 milionë lekë. Në të cilën dallohen dhomat e mirëmodeluara së bashku me verandën.
Në katalog rezultojnë të sekuestruara edhe pronat e Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit, i zhdukur prej gati 3 vitesh. Në Kurbin, prona në Surrel vilë 2 katëshe e rrethuar me kënd lojrash, por edhe në jug të vendit.
Para bllokimit me vendim gjykate, ato janë përdorur për qëllime banimi e biznesi, ku bie në sy aktivitete si bare, njësi tregtare, por edhe garazhe e sipërfaqe toke të lira.
Ky publikim pason katalogun e pasurive të konfiskuara, realizuar në shkurt të këtij viti dhe është pjesë e një procesi gjithëpërfshirës inventarizimi të ndërmarrë nga Agjencia.

