Kulture
Nga opera shqiptare në skenat e New York-ut
Riad Ymeri falë punës dhe talentit arriti ta gjejë veten mjaft mirë në skenat ndërkombëtare. Tashmë tenori shqiptar jeton në Amerikë dhe vazhdon karrierën e tij në New York. Riad Ymeri ka debutuar pranë yjeve të muzikës klasike, ka interpretuar Moxartin, Verdin, Bethovdn etj., ndërsa ka punuar fort për të thelluar karrierën artistike pranë legjendave si Samuel Ramey. Riad Ymeri tregon për “Diaspora Shqiptare” se pati fatin të fitojë 2 çmime në New York , në 2 konkurse lirike në 2014 dhe një në 2015. Më pas, ai fitoi edhe një bursë që të studionte me top emrat e industrisë. Gjatë periudhës të pandemisë Ymeri ka gjetur një mënyrë tjetër për të qenë pranë publikut, duke konkretizuar në këtë mënyrë një projekt që prej kohësh e kishte në mendje, atë të realizimit të video-performancave.
Jeni larguar në SHBA me vetëdijen se do punonit sërish në profesionin tuaj. A ishte më e thjeshtë përshtatja për shkak të sigurisë që ju jepte puna?
Unë erdha në Amerikë për mundësitë që ofron ky vend në aspektin e zhvillimit profesional, dhe pasi erdha si fillim bëra disa konkurse të zërit lirik, dhe u kurorëzova me 3 çmime në 2 konkurse top në New York, një bursë studimi, dhe pastaj krijova rrjetin ngadalë për t’i provuar edhe skenat e New York-ut gradualisht. Përveç studimit me top-profesionistet e industrisë, arrita të isha performues aktiv me kompani të ndryshme në qytet, duke realizuar role domethënëse për karrierën time.
Performoni në krah të artistëve me emër në SHBA, sa krenar ju bën kjo gjë dhe sa ju motivon për të ardhmen e karrierës suaj?
Është fakt që gjatë rrugëtimit tim, kam punuar dhe kënduar me profesionist që kishin karriera brilante, nga këngëtarë që këndonin në teatro botërorë, deri tek ndarja e skenës me “Bass-in më të regjistruar në Historinë e Operas”etj.. Gjithsesi me një përulësi kam kërkuar urtësinë e zhvillimit tim artistik duke i përdorur përvojat e tilla, dhe në këtë mënyrë kam përparuar ndër vite duke u ngjitur gjithmonë e më lart, duke kënduar role dhe koncerte në sallat gjigante si Carnegie Hall, Lincoln Center, etj.. Gjithashtu kanë kënduar edhe në shtete tjera si Los Angeles, Las Vegas, Florida, etj.. Në mes tjerash kisha dashur të theksoj një bashkëpunim të veçantë me komunitetin artistik shqiptarë në NYC. Kemi pasur performanca të njëpasnjëshme, me artistë të shquar, dhe ende vazhdojmë.
Cili është interpretimi që ju ka lënë më tepër mbresa dhe e kujtoni sa herë?
Unë kam pas një karrierë të suksesshme në Teatrin e Operas në Tiranë, që nga debutimi im më 2011-2013 isha pjesë e rëndësishme e repertorit të Teatrit amë, duke bërë role kryesore në projekte më të rëndësishme gjatë asaj periudhe, si: rikthimi i operas kombëtare Skenderbeu të Jakovës, pas 50 vitesh, duke e përformuar në Tiranë dhe Shkup në Teatrin e Operes dhe Baletit në Maqedoninë Veriore, gjithashtu edhe Skenderbeun e Vivaldit, role nga operat e Mozart, Donizetti, Premiera absolute e ndonjë vepre të Wagner të interpretuar ndonjëherë si produksion i plot. Kam performuar në Belgjikë, Itali dhe Greqi në festivale duke e prezantuar TOB-in edhe në festivale të mëdha. Pra duke nisur me emocionet që kanë lënë mbresë të madhe në kujtesën time, edhe pse do vazhdoj të performoj në skenat më të mëdha të botës, momentet e një kosovari që kishte fituar audicionin për të debutuar në teatrin e ëndrrave, dhe po krijonte karrierë në atë kryeqytet “amë” të kulturës mbarëkombëtare, ishte vërtet ndoshta kujtimi më i veçantë në karrierën time.
Projekti yt më i fundit janë video-performancat, si lindi si ide dhe si do të vijoi ky projekt?
Idenë për të bërë muzikë napolitane dhe shqiptare me Fis-Harmonike e ka pasur prej kohësh, por hera e parë arriti të kurorëzohet fillimi i idesë ishte kur kisha bashkëpunimin me kolegun tim Klajdi Cerrikun, dhe interpretuam një version shumë të veçantë të një kënge shkodrane: “Bishtalecat palë-palë” dhe u prit shumë mirë. Kjo që në shkurt kur New York ishte i hapur krejtësisht. Pastaj Coivd-19 na la pasiv duke mos performuar “live”, por kishim më shumë kohë për reflektim dhe shkëndija që të jep vizionin. Më pas kur në verë u qetësuan gjërat dhe nisa të organizoj një koncert duke ruajtur distancat dhe në ambient të hapur, por gjërat nuk shkuan ashtu si e mendova, sepse nuk kishte pjesëmarrje. Kështu filmuam gjithçka dhe pastaj ato video-performanca dolën ashtu siç paramenduam ne, dhe patën një sukses të jashtëzakonshëm. Kështu ideja jonë u konkretizua dhe të gjitha projektet më tutje do t’i publikojmë në faqen time zyrtare në Facebook: Riad Ymeri dhe kanalin muzikor në Youtube: Riad Ymeri. Do doja ta falemnderoj edhe Blue Waterfall Films LLC, që na u bashkëngjit dhe ndihmoi në realizimin e projektit.
I druheni një mbyllje të dytë nga Covid dhe si rrjedhojë anullimit të projekteve?
Eh, me një gjë të tillë si Covid, nuk i dihet se ca do bëhet! Vetëm Zoti e di! Me sa kam dëgjuar guvernatori i NYC thotë që s’do ketë mbyllje, por luftim nëpër blloqe. S’na mbetet tjetër vetëm të mendojmë pozitivisht dhe të presim tani me ardhjen e stinës së ftohtë, se çdo bëhet!
Ndikoi ekonomikisht për ju periudha e parë e karantinës?
Normalisht, si tek shumica e njerëzve besoj, ose një shumicë dërrmuese e performuesve dhe krijuesve të arteve të ndryshme. Është kohë e vështirë për artin në përgjithësi! Por arti nuk vdes, vetëm mbetet të shohim si do vijoi më tutje, a do të jetësohet arti i vjetër në një diçka të re, apo si? Jemi të gjithë si të hutuar, sepse Covid-19 një të mirë kishte, që na freskoi trurin, dhe na nxorri nga gjumi, dhe na ri-tregoi një informacion që të gjithë pak a shumë e kemi ditur ndër kohë, pra nëse e kishim thënë në gjuhën e bukur angleze, një shprehje të njohur “Do not take it for granted” pra, përdoret kur duam të themi mos t’i marrim gjërat si tonat përgjithmonë, sidomos kur duam t’i mbizotërojmë deri në keqpërdorim, e t’jau humbim vlerën gjithçkaje njerëzore pastaj! Ndaj duhet ta kuptojmë që jeta është e bukur atëherë kur është në përputhje me Zotin dhe natyrën, e jo vetëm kur kemi gjëra materiale.