Rajon
Nga Washingtoni hapet dosja/ Perëndimi s’do tolerojë manipulimet e Serbisë
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, deklaroi se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndryshoi në mënyrë dramatike atmosferën dhe qëndrimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ndaj Serbisë.
Në një prononcim për gazetën serbe “Danas”, ajo theksoi se reagimi i menjëhershëm i bashkësisë së organizuar ndërkombëtare ndaj inkursionit paramilitar serb në veri të Kosovës, ekspozoi “politikën e dyfytyrësisë” së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, por edhe dështimin e politikës perëndimore ndaj “promovimit dhe tolerimit” të regjimit serb.
“Perëndimi ashpërsoi kërkesat, mbi të gjitha, për shkak të mundësisë që të përsëritet një sulm i ngjashëm dhe ndërgjegjësimit për pasojat potenciale që një zhvillim i tillë do të kishte në rajon. Kjo reflektohet në çdo deklaratë për Ballkanin Perëndimor. Inkursioni në veri të Kosovës tregoi brishtësinë e rajonit dhe potencialin destruktiv të Serbisë” – potencoi Biserko.
Gruaja që dokumentoi krimet e kryefashistëve serbë – Sllobodan Millosheviç dhe Vojisllav Sheshel – në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990-1999, shtoi ndër të tjera se reagimi i shpejtë i bashkësisë së organizuar ndërkombëtare ishte një shenjë paralajmëruese se “manipulimet dhe gënjeshtrat” e palës serbe nuk mund të tolerohen, posaçërisht në raport me Kosovën.