Rajon
Ngec ‘merkato’/ Vuçiç nuk e jep Vulinin, BIA mbetet në duart e të sanksionuarit nga SHBA
Informacionet se Aleksandër Vulini do të zëvendësohet nga drejtimi i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) me Marko Gjuriçin, ambasador aktual i Serbisë në SHBA, kanë shtuar inatin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Ai ka mohuar se do ta largojë nga udhëheqja e BIA-s Vulinin, të sanksionuarin nga SHBA-të dhe njërin nga politikanët më pro-rus në Serbi.
“Ndoshta kam planifikuar që ta zëvendësoj, por tani nuk mundem”, tha Vuçiç.
Duke komentuar spekulimet nga disa media se Vulini shpejt do të zëvendësohet, Vuçiç tha se pretendime të tilla “ia zgjatën atij mandatin”.
Më 11 korrik, SHBA-ja e futi Vulinin në listën e sanksioneve, nën akuza për përfshirje në trafikim droge, por edhe për lidhjet me Rusinë.
Pas kësaj, Vuçiq deklaroi se sanksionet ndaj Vulinit ishin përgjegjësi e tij, për shkak se, “unë nuk kam vendosur sanksione ndaj Rusisë”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, deklaroi më 22 gusht se SHBA-ja nuk pajtohet me autoritetet në Serbi përsa i përket sanksioneve kundër Vulinit, duke shtuar se Uashingtoni ka problem me orientimin e tij pro-rus.
Vulin po ashtu është edhe përkrahës i retorikave nacionaliste serbe kundër fqinjëve të saj. Njeriu i afërt i Vuçiqit kishte nderuar kriminelët e luftës si Sllobodan Milloshevic e Ratko Mlladic.