Connect with us

Kosova

Ngërçi në Kosovë përbën “kapje të rrezikshme të demokracisë” sipas Ben-Meir

Ngërçi në Kosovë përbën “kapje të rrezikshme të demokracisë” sipas profesorit amerikan në pension dhe ekspertit të politikës ballkanike, Alon Ben-Meir, i cili, në një artikull kushtuar krizës institucionale katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare, ka theksuar se liderët politikë ne Prishtine kanë vënë interesat personale përpara kompromisit.

“S’ka parlament funksional, s’ka progres, s’ka llogaridhënie, s’ka rifillim të dialogut me Serbinë, s’ka reformë, s’ka plan të përgjithshëm ekonomik dhe s’ka investime të huaja që të ndihmojë vendin të dalë nga vështirësitë financiare”, ka shkruar Ben-Meir.

Ai ka sugjeruar gjithashtu se duhet konsideruar ideja e një qeverie tranzitore të unitetit, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo qeveri, sipas tij do të ketë detyrë të rikthejë funksionimin e institucioneve dhe të përcaktojë një datë të re për zgjedhje.

Ben-Meir ka rekomanduar që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një kandidat të ri për kryeparlamentar si një zgjidhje logjike për ngërçin politik në Kosovë. Ai ka shtuar se ka ardhur koha që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të pranojë realitetin aktual dhe të tregojë se është i denjë për të udhëhequr partinë më të madhe në vend.

“Për të përfunduar këtë paralizë është e nevojshme vullnet politik, fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis nga të gjitha palët. Përtej përplasjeve politike, ajo që kërkohet tani është jo sensacionalizëm, por dialog serioz mes udhëheqësve të partive për të zgjidhur ngërçin”.

Advertisement