Politike
Ngjela me deklaratë të fortë: Berisha do përfundojë në burg
Avokati Spartak Ngjela në një lidhje live për “Top Talk” foli për situatën në të cilën ndodhet ish-kryeministri Sali Berisha dhe procedurat që ka ndjekur SPAK për të.
Ai u shpreh se gjykata do vendosë se ku do ta bëjë Berisha arrestin shtëpiak. Ai shtoi se ish-kryeministri do të përballet me burg nëse nuk i ndjek rregullat e dënimit paraprak.
“Vendi ku bëhet arresti shtëpiak është shumë i kontrolluar. Do vijë ta kontrollojë hetuesia me ekspertët e vet. Sepse ti mund të kesh një tunel, nuk e di unë se çfarë ndodh. Si rregull mbajnë shtëpitë sepse janë të kontrolluara, por se çfarë do të bëjë gjykata e di gjykata sepse e di. Në rast se ky do t’i bëjë bisht edhe kësaj ata do të japin arrest me burg”, tha Ngjela.
Avokati u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është taksative dhe se nuk mund të rrëzohet.
“Konfliktin nuk e kanë sjellë juristët. Kushtetuta është e qartë dhe nuk kishte nevojë të interpretohej nga një mjek, edhe në qoftë se ai ka pasur mbështetje juridike. Atë që kanë kërkuar ata, e kam parë kërkesën, ata ia kanë kthyer me shumë të drejtë sepse i thotë që 1/5 e deputetëve nuk është subjekt kushtetues. Që të kenë të drejtë ata për këtë që kanë bërë është që t’i jetë shkelur një e drejtë. Është taksative kushtetua. Duhet të jetë shkelur një e drejtë në funksion të një norme kushtetuese. Çfarë e drejte iu është shkelur atyre. Ata nuk janë subjekt kushtetues, kështu që ka të drejtë që ajo që kërkojnë ata nuk mund të bëhet sepse nuk është një subjekt kushtetues.
Ajo nuk ka nevojë për interpretim sepse është i drejtpërdrejtë. Nuk lejohet çdo lloj arresti, qoftë shtëpiak apo në burg, dhe kontrolli personal nuk lejohet, dhe një arsye tjetër që e kanë prapë çështje personale. Pra problemi qëndron që ata çfarë e kanë ngelur kushtetutën. Ky kujt i drejtohet kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, më tregoni a ka ndonjë organ tjetër që e rrëzon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo. Në qoftë se Gjykata Kushtetuese ka thënë që ky nen është kështu dhe ligjvënësit thonë që ne nuk e ndërrojmë dot, duhet të mblidhen dhe të ndryshojnë nenin. Ka ndodhur nëpër botë kjo. Vendimi është suprem”, u shpreh ai.
Ndër të tjera Spartak Ngjela theksoi se karakteri i Sali Berishës, nuk e la që të merrej në pyetje nga një hetues i thjeshtë.
“Akuza është shumë e rëndë për një individ, por kur individi vjen nga një pushtet i fuqishëm, koshineca e tij vlerësohet, sepse ende nuk e kanë kuptuar se nuk kanë forcë. E kam nga literatura, analiza subjektive që i është bërë trupave të tillë nga trupa të mëdha të psikiatrisë ligjore ose edhe psikologjisë ligjore. Kjo ndodh, por nuk do të ndodhte në rast se do të kishte një avokat të nivelit të lartë.
Atë nuk e ka lënë karakteri që të merret në pyetje nga një hetues i thjeshtë. Po të shkoj më tutje do të më thoni që e thyen, por këto janë delire që nuk i godet ligji. Janë brenda koshiencës normale të atyre që vijnë nga pushtetet e mëdha. Ai nuk vajti se ka menduar që po të mos shkojë do të mbyllet çështja. Jo, nuk mbyllet. Ata e çuan deri në fund, pasi nuk është një prokuroi e thjeshtë, është SPAK-u”, tha avokati.