Connect with us

Politike

Nisma “Thurrje” bashkon forcat me Lulzim Bashën

Endri Shabani i nismës “Thurrje” nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me Lulzim Bashën, madje thotë se për “zbritjen e Ramës nga maxhoranca” duhet të ketë sa më tepër bashkëpunime midis forcave të reja politike.

Në emisionin “Breaking”, Shabani tha se e ashtuquajtura aleanca anti-SPAK, është e qartë që tashmë përbëhet nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, të cilët sipas tij, edhe me veprime konkrete kanë treguar se janë kundër drejtësisë së re.

“Sot Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama janë përballë SPAK-ut. Natyralisht ata do të bëhen bashkë për të mbrojtur veten para drejtësisë. S’ka nevojë as për konspiracion këtu. Ne i pamë të bëhen bashkë për Amnistinë, që fali 100 personazhe që janë dënuar nga GJKKO. Këta janë bashkë, këta me votat e tyre kanë falur 60 hajdutë të Edi Ramës. Këta janë ekspozuar, këtu duhet të kishte mbaruar filmi”, u shpreh Shabani

I pyetur për mundësinë e bashkëpunimit me Bashën, Shabani tha se kreu i PD-së zyrtare “duhet ndarë” nga Berisha, Meta dhe Rama.

“Unë kam një bashkëpunim shumë të mirë, me anëtarë të PD-së zyrtare, edhe me një pjesë nga Rithemelimi. Ka nisma që i kemi çuar përpara aty që kemi bashkëpunuar. Për sistemin zgjedhor kemi çuar një nismë që në 2019-ën, në atë kohë Basha ka qenë kundër, sot e përmend. Unë e kam mbështetur dhe e mbështes nëse ka një gjë të përbashkët. Unë jam i mendimit se duhet të kemi beteja të përbashkëta.

Basha duhet ndarë nga Berisha, Meta, Rama. Njëkohësisht Basha duhet ndarë nga Adriatiku, Arlindi. Por të njëjtin mendim do kisha dhe për Dashamir Shehin. Ka disa forma bashkëpunimi, për beteja të përbashkëta, ka bashkëpunim para dhe pas zgjedhor. Të njëjtën gjë mund ta bëjmë nesër në Parlament, me idenë ta zbresim Ramën nga maxhoranca në Parlament”, u shpreh ai.

Advertisement