Connect with us

Kosova

Një ditë para takimit me Vuçiçin, flet Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se nuk do të lejojë krijimin e ndonjë forme të Republikës Sërpska në veri të Kosovës. Kurti më tej ka pohuar se sheh ngjashmëri me Rusinë në marrëdhëniet e Serbisë me vendet e saj fqinje. Kjo deklaratë e Kutit ka ardhur në prag të raundit të ri të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që pritet të zhvillohet ditën e nesërme në Bruksel.

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqisnin në Prishtinë.

Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave.

Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës.

Vendi ynë, megjithatë, është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorializimin në bazë etnike sepse është kundër demokracisë dhe republikës. Sovraniteti dhe integriteti territorial janë diçka që nuk guxon të cenohet.

Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t’i japim pushtetin ekzekutiv komunitetit lokal sepse pushteti ekzekutiv i takon qeverisë dhe komunave”, tha ai.

Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të takohen në Bruksel ku do të prezantohet edhe drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Kurti ka njoftuar se ende nuk e ka parë.

Advertisement