Connect with us

Aktualitet

NJË FILM PËR BAJRAKTARIN NUR DOKA

Në Festivalin e filmit me metrazh të gjatë në Herceg Novi të Malit të Zi është shfaqur filmi “Obraz” (Fytyra) me regjisor Nikola Vukçeviqin e ku luajnë edhe aktorë shqiptar. Në të vërtetë, filmi ngërthen një ngjarje të vërtetë nga periudha  e Luftës së Dytë Botërore ku bajraktari shqiptar Nur Doka refuzon t’ia dorëzojë njësive fashiste një fëmijë ortodoks që rastësisht kishte gjetur strehë në shtëpinë e tij, pasi fashistët ia kishin vrarë babanë dhe nënën, – përcjell kdp.mk njoftimin e të përditshmes malazeze “Pobjeda”.

Duartrokitja më e gjatë në edicionin e sivjetshëm të festivalit në Herceg Novi i takoi filmit “Obraz” (Fytyra) të Nikola Vukçeviqit, i cili ngjalli emocione të forta dhe ngriti publikun në këmbë. Pas festivaleve ndërkombëtare, kjo ishte premiera malazeze e kësaj historie filmike për nderin dhe trimërinë, e cila sipas motiveve të vërteta u shkrua për herë të parë nga shkrimtari Zuvdija Hoxhiq. Tregimi i Hoxhiqit “Obraz” (Fytyra) ishte bazë për skenarin e filmit, të cilin e kanë nënshkruar Ana Vujadinoviq dhe Melina Pot Koleviq, ndërsa regjisori Vukçeviq ishte bashkëpunëtor në skenar.

Vlerat

Procesi i krijimit të “Obraz”-it zgjati tetë vjet, dhe që nga fillimi ka lënë përshtypje identiteti i jashtëzakonshëm vizual flmik – thuajse çdo skenë mund të jetë një fotografi artistike më vete. Ngjarja zhvillohet gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kufirin e Malit të Zi, kur bajraktari i famsshëm Nur Doka refuzon t’ia dorëzojë njësive fashiste SS Skënderbeg dhe SS Handxhar një fëmijë ortodoks që rastësisht kishte gjetur strehë në shtëpinë e tij, pasifashistët ia kishin vrarë babanë dhe nënën.

Pastërtia dhe vendosmëria morale e Nur Dokës, të cilin me një forcë serioze e interpreton aktori shqiptar Edon Rizvanolli, lë të përhershme çështjen mbi vlerat që duket se gati janë zhdukur në Malin e Zi që njohim sot. Doka, për shkak të nderit dhe jetës së fëmijës së pafajshëm të një gjuhe, feje dhe kombësie tjetër, vuri në rrezik jetën e tij, të babait, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij të vegjël – gjë që përfundoi me vrasjen e të birit të tij. Luftimet e brendshme dhe vendimet e Dokës ndoshta përmblidhen më së miri në fjalët e Iguman Stefanit nga “Lahuta e Malcis” – “Ç’është njeriu, e duhet të jetë njeri!”.

Përveç Rizvanollit, interpretime të jashtëzakonshme në filmin “Obraz” sollën edhe aktorët e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi Aleksandar Raduloviq dhe Ana Vuçkoviq, por edhe Zef Bato Dedivanoviqi në rolin e tij të fundit. Roli të spikatura realizuan edhe Branimir Bane Popoviq, Alban Ukaj, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski, Xhejlane Tërbunja, Igor Bençina, dhe aktoret e aktorët e rinj Merisa Axhoviq, Hana Pavloviq, Elez Axhoviq dhe Vuk Bulajiq.

Aktori Aleksandar Raduloviq, i cili në film luan rolin e krye-negativit Abid, për gazetën Pobjeda tha se është jashtëzakonisht i kënaqur me reagimin e publikut:

“Duartrokitje të pabesueshme mbrëmë, por nuk është puna vetëm te duartrokitjet – por pse përmes duartrokitjeve shprehen ndjenjat. Ishte shumë bukur që patëm duartrokitje edhe gjatë konferencës për shtyp, sepse njerëzit aty zakonisht janë të përgjumu. Kjo ndodhi sepse po flasim nga shpirti – ashtu siç folëm edhe kur e xhironim këtë film,” – tha Raduloviq.

Sipas tij, ky film nuk ka satisfaksione financiare:

“Në projekt u përfshinë njerëz që duan të ‘fitojnë’, por në një kuptim tjetër – pikërisht kjo përsiatje ssikur arsyeton ekzistencën tone,” – tha ai duke shtuar: “Është shumë e rëndësishme që të parët tanë nuk u turpëruan… Kjo është tepër e rëndësishme. Është e rëndësishme që ata të shohin se edhe ti je i gatshëm të mos turpërohesh. Për këtë flet ‘Obraz’ dhe ne duhet ta shkrijmë këtë në jetën tonë. Duhet të besojmë se do të jemi të aftë të mos e vazhdojmë vetëm trungun familjar në kuptimin biologjik, por ta vazhdojmë atë vertikalen morale – dhe kundër saj është gjithçka. Të gjithë duan ta përkulin, por ajo duhet të mbetet e vertikalisht,” – tha ai.

Miti

Regjisori Vukçeviq, në konferencën për media, rikujtoi se fjala është për mitin për heroizmin e Nur Dokës, si diçka që është pjesë e vetëdijes kolektive në Mal të Zi:

“Ky mit për trimërinë kërkonte vetvetiu tëbëhet një film, me bindjen se do të komunikonte me publikun – dhe më duket se mbrëmë kjo u ndje shumë fuqishëm, ” – tha ai duke pranuar se para premierës malazeze ekzistonte një dro e madhe:

“Premiera kombëtare është dita e parë e rëndësishme pas shfaqjes së parë. Ne deri tani kemi  jemi  përzgjedhur në 20 festivale ndërkombëtare. Festivalet janë jashtëzakonisht selektive – sepse në konkurrencë janë mbi 1.000 filma, dhe të hysh në zgjedhjen përfundimtare prej 10–13 filmash, ky fakt është në fakt një shpërblim.”

“Si njerëz, kemi vetëm njëri-tjetrin, askënd tjetër”

Aktori Edin Rizvanolli tha në konferencë se figurën e Nur Dokës e ndërtoi sipas gjyshit të tij:

“Ne në Kosovë i dimë këto dhe histori të ngjashme. Më kujtohet gjyshi im – ai pak a shumë ishte i tillë – i drejtë. Kjo më ndihmoi. E kuptova shumicën e gjërave dhe kisha atë ndjesinë se si duhet të luaj. I kuptova përmes përvojës së jetës,” – thza Rizvanolli.

Sipas tij, “të gjithë duhet ta kemi dilemën se çfarë do të thotë të jesh njeri”:

“Ky është momenti kur të gjithë e kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh njeri. Është e rëndësishme të kuptojmë se si njerëz, në fund, kemi vetëm njëri-tjetrin – askënd tjetër. Kjo do të thotë të jesh njeri – të ndihmosh njeriun afër teje, pavarësisht dallimeve në fe, komb apo çfarëdo tjetër. Kjo për mua është gjëja më e rëndësishme,” – tha Rizvanolli.

Identitetin vizual të filmit e formësoi drejtori i fotografisë Gjorgje Stojilkoviq (Serbi), skenograf ishte i ndjeri Stanislav Nikiçeviq (Mali i Zi), ndërsa për kostumet ishtee ngarkuar Lidija Jovanoviq (Serbi). Muzikën e firmos Dushan Maksimovski (Kroaci/Mali i Zi)./Pobjeda.me/

Advertisement