Connect with us

Kosova

Një komb në ankth/ A do të përfundojë tragjedia e sanksioneve ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të bllokut europian ta dëgjojnë Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përsa i përket propozimit të fundit për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, i cili ka vlerësuar se vendi ka përmbushur kërkesat e BE-së për deeskalimin e situatës në veri.

“Nga ana e Kosovës është zbatuar gjithçka për deeskalimin e situatës, prandaj edhe keni sugjerimin e Borrellit, të cilin, shpresoj dhe uroj që vendet anëtare ta dëgjojnë dhe ta respektojnë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar në një përgjigje për gazetarë, në prag të takimit të nivelit të lartë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti për dështimin e deritanishëm të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së vazhdimisht ka qenë i artikuluar pak a shumë në këtë mënyrë: Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri është “pozicionuar” kundër interesave të Kosovës dhe në favor të atyre të Serbisë.

Borrelli ka dorëzuar javën e kaluar raportin për masat ndëshkuese ndaj Kosovës para shteteve anëtare të BE-së, përkatësisht rreth hapave të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i vendosi në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit serioz të situatës në veriun e vendit të banuar kryesisht me shumicë serbe.

Në rekomandimin e shefit të diplomacisë evropiane për Këshillin e BE-së, heqja e masave ndëshkuese cilësohet “sinjal politik” që pritet të kontribuojë në “kontekstin e balancuar” në të cilin procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të avancojë.

Ndryshe, shumica e shteteve të BE-së kanë qenë në favor të heqjes së plotë të masave ndëshkuese, ashtu sikurse edhe ka rekomanduar kryediplomati evropian, në raportin që ua dorëzoi vendeve anëtare të bllokut më 18 qershor 2024. Megjithatë, disa vende anëtare të BE-së kanë kërkuar heqje graduale dhe të pjesshme të masave ndëshkuse ndaj shtetit të vogël ballkanik.

Advertisement