Connect with us

Shkrime

Një Kryetar Partie nën kërcënim për vrasje, linçim dhe asgjesim

Nga Arian Galdini

Të dashur miq,

Sikurse e dini, para pak ditësh ju kam shkruar për një situatë të pazakontë që jam duke përjetuar si prind, qytetar, si zë publik, si aktivist politik dhe si Krytar i një Partie të re Politike Opozitare në Shqipëri.

Në dt 17-18 shkurt, në rrjetet sociale Tik Tik, Facebook dhe Instagram, disa “profile dhe faqe anonime” me prapavijë, motivim dhe qëllim politik, kanë publikuar thirrje publike për linçimin, vrasjen dhe asgjësimin tim.

Këto “Profile e Faqe Anonime” me prapavijë, motivim dhe qëllim politik, kanë publikuar disa postime taktikisht dhe strategjikisht të mirëmenduara dhe me qëllime amplifikuese.

Mënyra sesi postimet ishin bërë disa dhe amplifikuese, tregon se aty qëllimi dhe mendja pas tyre nuk është edhe aq lineare dhe e thjeshtë por me synim maksimalizimin e eficencës në goditjen jo vetëm të imazhit, emrit dhe kredibilitetit të Arian Galdinit, por edhe shumëfishimin e ndjeshmërive që mund ta bëjnë potencialisht të goditshëm Arian Galdinin edhe fizikisht.

Kishte përshkallëzim postimesh nga foto e video të miat të shoqëruar me shkrime se ky njeri është Pedofil, Përdhunues Fëmijësh, Mashtrues e Hajdut Emigrantësh, e deri tek Trafikant Droge, etj, etj.

Dhe më pas vinte postimi ku shkruhej: Ky është Arian Galdini, njeriu i paguar nga Edi Rama për të sabotuar Protestën dhe Revolucionin e Opozitës, etj, etj..

Për të kulmuar me thirrjet publike: Kush e sheh në rrugë Arian Galdinin, ta vrasë, dhunojë, përçudnojë, gjakosë, poshtërojë, asgjësojë…

Unë menjëherë sapo kam parë këto video e postime, kam vënë në dijeni opinionin publik nëpër media dhe kam bërë kallzimin penal në Policinë e Shtetit.

Policia e Shtetit është duke e ndjekur këtë çështje me shumë përgjegjësi dhe përkushtim.

U kam shpjeguar opinionit publik dhe Policisë së Shtetit, se thirrje të tilla publike për linçimin dhe vrasjen e asgjësimin e dikujt për shkak të ideve, pozicionimit dhe rolit të tij politik, janë tejet të rrezikshme dhe është hera e parë që ndodhin në Shqipëri.

Nuk duhet trajtuar si një kërcënim klasik sepse pas një kërcënimi ka gjithmonë një autor e përgjegjës.

Thirrjet publike të bëra në faqe e profile militantësh politikë në rrjetet sociale, jané si një “krim potencial pa autor”.

Faqet dhe profilet që janë përdorur për këto thirrje linçuese janë masive me mijëra ndjekës dhe postimet janë parë nga qindra mijëra.

Amplifikimi me disa postime me foton time dhe me disa kategori “shpifjesh” e “sajesash” kanë synuar dalëngadalë të përfshijnë të gjitha ndjeshmëritë e mundshme vepruese në shoqëri, që cilido që sheh e lexon ato postime, të ketë identikitin e vetë përkatës, për “krimin potencial” kundër Arian Galdinit.

Në shoqëri ka shumë mitomanë, kandidatë për heronj partie, kandidatë për protagonizëm ditor, njerëz të trazuar mendërisht dhe emocionalisht, të cilët mund të ngacmohen dhe motivohen për “krimin potencial” kundër Arian Galdinit.

Dhe të tilla thirrje e bëjnë “krimin potencial” krejt të paparashikueshëm e pa autor të gjurmueshëm e që mund të jetë kurdo e kushdo e kudo.

Çuditërisht, ndonëse Policia po punon për gjetjen e autorëve të këtyre thirrjeve, nuk ma asnjë përpjekje për mbrojtjen e jetës sime dhe të familjes sime.

Madje, as Ministri i Brendshëm, asnjë institucion shtetëror, nuk kanë bërë asnjë deklaratë as publike e as zyrtare, për dënimin e thirrjeve të tilla.

Asnjë organizatë e të drejtave të njeriut, as Komiteti i Helsinkit nuk kanë bërë asnjë deklaratë për dënimin e thirrjeve të tilla publike për linçimin dhe asgjësimin e një Kryetari Partie për shkak të detyrës.

Ndihem i pambrojtur, i vetmuar dhe i braktisur.

Ndihem i rrezikuar.

Por çfarë është më e rëndësishme, unë jam baba i dy djemve dhe bashkëshort, dhe ndjej që për shkakun tim edhe 2 djemtë e mij e familja ime janë të rrezikuar.

Për këtë shkak, sot kam vendosur të largohem për pak ditë nga Shqipëria, derisa gjërat të qetësohen.

Për tu ndjerë i sigurtë për dy djemtë e mij dhe familjen time, kemi vendosur të shkojmë pak ditë, vetëm pak ditë larg Shqipërisë, derisa të kuptojmë çfarë po ndodh e të ketë më shumë kthjelltësi për këtë rast.

Faleminderit.

Arian Galdini

Kryetar i LRE

Advertisement