Connect with us

Shkrime

Një maskaradë apo sharlatanizëm?

Nga Bajram Peçi

Shpallja e luginës Vjosa “Park Kombëtar” ishte ngjarje e gëzueshme për komunitetet e asaj zone, të cilët janë ndodhur për disa dekada nën sulmet e egra e të paskrupullta të bizneseve të ujit, të inerteve, të qymyrit, të guroreve e nuk di çfarë tjetër!

Ministrja Mirela Kumbaro, në komunikimin me gazetarët për vendimin e qeverisë, bëri të ditur se, “Bashkë me 3 degë të tjera të Lumit Vjosë, më konkretisht lumi Drino, lumi Bënç dhe Shushica, bëjnë atë që quhet sot Parku i parë në Europë i një lumi të egër. Një punë shumë e gjatë që kurorëzohet sot me këtë akt ligjor. Është faza e parë e kësaj pune…”.

Edhe në ceremoninë populiste të organizuar në Tepelenë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ”…është një moment realisht historik, …është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë  …më vjen shumë mirë që ia dolëm kësaj ndërmarrjeje jashtëzakonisht sfiduese për të mbrojtur përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europës”.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe organizata amerikane “Patagonia” nënshkruan sëbashku një Memorandum, që e quajtën “Të Mirëkuptimit”, ku zotohen se do të punojnë së bashku për rritjen e shkallës së mbrojtjes së lumit Vjosa dhe degëzimeve, me statusin “Park Kombëtar”.

Mirëpo, sapo i dërguari i Leonadro Di Caprios, përfaqësuesi Organizatës Mjedisore Amerikane Patagonia CEO, Ryan Gellert, ktheu krahët dhe u largua me një kopje të memorandumit në çantë, të nesërmen në brigjet e Shushicës, në shtrirjen e fshatit Kuç, të njësisë administrative Horë-Vranisht, shkarkuan tubacionet që do shërbejnë për marrjen dhe transportin e ujit të lumit Shushicës, nga burimet deri në Himarë. Shushica do thahet, zona e mbrojtur me shkresa e llafe do shkretohet. Siç shihet dhe kuptohet, gjithçka paska qenë “llogje kavaje”!

Brënda hapësirës prej 12727 ha, përfshihet dhe pellgu i lumit Shushicë, i cili i ka burimet dhe një pjesë të shtratit brënda hapësirës ku shtrihet fshati Kuç i Labërisë. Për projektin e Bashkisë Himarë, për marrjn e ujit nga lumi i Shushicë, askush nuk ka dieni nga Kryesitë e dy fshtrave, as nga komuniteti. Nuk janë organizuar dëgjesa, siç përcakton ligji; nuk është bërë shpallja publike e investimit!!! Askush nuk di në pushtetin vendor se si do merret ky ujë, që do i ndryshojë rrjedhën lumit Shushicë dhe do thajë gjithë pellgun e lumit të Vlorës, siç quhet në zhargon zona, ashtu siç për banorët është e pakuptimtë se pse merr ujin e Shushicës dhe nuk merr burimet e bollshme të Pilurit, që i ka 5 km larg?!

Sipas kryetarit të njësisë Administrative Horë-Vranisht, për marrjen e ujit e dërgimin e tij në Himarë kryetari Goro i ka thënë se ka vendim qeverie; se do marrin 100 litra në sekondë, ndërkohë që tubacionet e dërguara janë për 300 litra ujë në sekondë!? Nëse ka vendim qeverie, pas daljes së një tjetër vendimi, që e shpall zonën park Kombëtar, Bashkia Himarë duhet të ndalojë menjëherë punimet! Nëse ata kanë një leje mjedisi për marrjen e ujit, ajo, pas shpalljes së zonës park Kombëtar, automatikisht shfuqizohet!

Informojmë lexuesin se, me Ligjin Nr. 8906, datë 6.6.2002, “Për Zonat e Mbrojtura”, i azhurnuar me Ligjin nr.9868, datë 04.02.2008, neni 27 përcakton sipërfaqjen “Zonë”. Me këtë nen, si Kuçi ashtu dhe lumi, është tashmë i përcaktuar gjeografikisht, shtrirja e së cilës përshkruhet me hollësi. Tani quhet “Park kombëtar” dhe është nën mbrojtje ligjore; nuk lejohet shfrytëzimi dhe okupimi njerëzor; ndalohet shfrytëzimi i burimeve natyrore (përfshirë zhvillimin e digave apo pengesa të tjera të rrjedhjes).

Nëse Bashkia Himarë ka “Leje mjedisi”, që është dokumenti zyrtar që ndoshta i ka lëshuar autoriteti mjedisor për veprimtari ekonomike e shoqërore, ajo nuk ka më fuqi veprimi, është e shfuqizuar automatikisht, sepse ndikojnë në mjedis dhe legjislacioni për Parqet Kombëtare i ndalon! I ndalon sepse i ndryshojnë gjendjes natyrore, i ndryshojnë rezervat ujore e të burimeve, çka duket qartazi dhe shpjegohen në ligj!

Me siguri, Autoriteti Shtetëror, që u ngarkua për administrimin e kësaj zone të mbrojtur, me statusin “Park Kombëtar Vjosë”, që u caktua në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 155, datë 13.3.2023, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), për shpalljen e zonës së mbrojtur presim që të fillojë të veprojë! Gjithashtu, vendimi i KM ngarkon Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, në territorin e të cilave shtrihet Parku për zbatimin e këtij vendimi.

Nëse Bashkia Himarë nuk ndërpret projektin e ndërtimit të ujësjellsit Kuç-Himarë dhe organet e mësipërme nuk ndërhyjnë, kuptohet se çka u publikua dhe u vendos ka qenë veçse një maskaradë dhe sharlatanizëm në dëm të banorëve të krahinës së Kurveleshit.

Ju kujtojmë këtyre organeve dhe Bashkisë Himarë se Neni 32 për Sanksionet përcakton shpjegon qartë se Shkeljet e dispozitave të këtij ligji përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative, dhe si të tilla, do ndëshkohen!

Advertisement