Connect with us

Aktualitet

Një në tre shtëpi e pabanuar; në Vlorë 51% e banesave bosh

Rreth 33% e apartamenteve në vendin tonë janë të pabanuara. Në nivel qarku, numri më i lartë i banesave bosh rezulton në Vlorë, ndërsa numri më i ulët në Tiranë.

Në të gjithë vendin, numërohen 1 milion e 82 mijë banesa, por vetëm 726 mijë prej tyre janë të banuara. Pra, 33% e tyre, ose rreth 1 në 3 banesa, janë të pabanuara në këtë periudhë.

Numri më i madh i banesave bosh ndodhet në Vlorë. Në këtë qark, në tetor të vitit 2023, kur zhvillohej CENSI, 51% e dyerve nuk u hapën nga askush, edhe pse anketuesit shkuan deri në 3 herë në ditë dhe në orare të ndryshme të javës. Mbi mesataren kombëtare, përqindje të larta të banesave të pabanuara kanë edhe Durrësi, Gjirokastra dhe Lezha, të cilat qëndrojnë ndërmjet 35% dhe 43%.

Qarqet e tjera kanë përqindje më të ulëta, ku veçohet Tirana, e cila ka numrin më të madh të njësive të banimit dhe përqindjen më të ulët të banesave bosh.

Sipas strukturës, përqindja më e lartë e banesave të pabanuara rezulton në pallate, me rreth 40%.

Stoku i banesave bosh është krijuar si rezultat i emigracionit, i cili që nga viti 2011 ka ulur popullsinë me rreth 400 mijë banorë. Pasi janë larguar, shumë prej tyre kanë zgjedhur t’i mbajnë banesat e tyre të kyçura, në vend që t’i japin me qira për përfitime financiare.

Ky realitet bie ndesh me ofertën në rritje në tregun e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, ku kërkesa për blerje vazhdon të mbetet e lartë.

Advertisement