Bota
Një nga bankat më të mëdha private në Iran shpallet në falimentim, kishte një rrjet prej 270 degësh
E themeluar në vitin 2012, Banka Ayandeh (që në persisht do të thotë “e ardhme”) kishte një rrjet prej 270 degësh në gjithë vendin, prej të cilave 150 ndodheshin në kryeqytetin Teheran.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, banka përballej me humbje të akumuluara prej 5.400 trilionë rialësh (rreth 4,5 miliardë euro) dhe kredi të pambuluara në vlerë prej 3.110 trilionë rialësh (rreth 2,5 miliardë euro).
Që nga sot, me vendim të Bankës Qendrore të Iranit, pasuritë dhe detyrimet e Bankës Ayandeh do të kalojnë në administrim të Bankës Melli. Autoritetet kanë siguruar se të gjithë klientët privatë do të mund të tërheqin depozitat e tyre pa pengesa.
“Transferimi i Bankës Ayandeh te Banka Melli është tashmë i plotësuar,” – deklaroi drejtori i Bankës Melli, Abolfazl Najjarzadeh, në televizionin shtetëror.
Në një mesazh dërguar klientëve të rinj përmes SMS-i, Banka Melli shkruante:
“Jemi krenarë t’ju mirëpresim në familjen e madhe të Bankës Kombëtare.”
Sipas një raportimi nga AFP në Teheran, shumë qytetarë u panë sot në radhë para një ish-dege të Bankës Ayandeh, ndërsa në vendngjarje ndodheshin forca policore.
Ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, u bëri thirrje klientëve “të mos kenë asnjë shqetësim” për kursimet e tyre.
Projekte luksoze dhe kredi të dyshimta
Gazeta Ham Mihan raportoi se Banka Ayandeh kishte shpallur falimentimin pasi nuk dispononte më kapital të vetin dhe ishte detyruar të merrte hua për të ruajtur likuiditetin.
Një zyrtar i Bankës Qendrore, Hamidreza Ganiabadi, deklaroi se më shumë se 90% e fondeve të bankës ishin përdorur për projekte ose kompani të lidhura me vetë bankën – investime që nuk u shlyen kurrë.
Banka kishte financuar projekte luksoze si kompleksi gjigant tregtar “Iran Mall” në Teheran, i cilësuar si një nga më të mëdhenjtë në botë, me pista patinazhi dhe kinema.
Banka Melli, e cila tashmë merr nën administrim pasuritë e Ayandeh, është një nga institucionet më të mëdha shtetërore në vend, përkrah Bankës Sepah.
Sipas agjencisë Tasnim, përveç Bankës Ayandeh, pesë banka të tjera private iraniane, Sarmayeh, Dey, Sepah, Iran Zamin dhe Melal, po përballen gjithashtu me probleme serioze financiare.