Bota
Një paradë në stilin e Ushtrisë së Kuqe për ditëlindjen e Trump

Një paradë në stilin e Ushtrisë së Kuqe, me tanke të blinduara dhe afro shtatë mijë ushtarë që do të marshojnë përgjatë Constitution Avenue, pranë Shtëpisë së Bardhë. Kjo është ajo që Pentagoni do t’i ofrojë më 14 qershor presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili atë ditë feston 79-vjetorin e lindjes — njëkohësisht me 250-vjetorin e themelimit të forcave të armatosura amerikane. Përputhja e datave ka bindur Shtëpinë e Bardhë që të realizojë ëndrrën e presidentit.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte kërkuar një paradë në nder të tij për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA, por drejtuesit e ushtrisë ia kishin rekomanduar të mos e bënte, për shkak të kostos së lartë, mbi shtatëdhjetë milionë dollarë, në një periudhë kur vendi ishte i paralizuar nga pandemia e Covid-19.
Për më tepër, përdorimi i tankeve të rëndë do të dëmtonte asfaltin e rrugëve të gjera të Washingtonit. Në vend të kësaj, Pentagoni organizoi një festim më të thjeshtë, me fluturime të avionëve ushtarakë dhe ekspozim të automjeteve të blinduara Bradley.
Edhe atëherë, ideja për të treguar fuqinë ushtarake u pa si një festim më shumë i një regjimi autoritar sesa i një demokracie liberale. Megjithatë, populli i MAGA-s (Make America Great Again) e konsideroi atë si një homazh patriotik për anëtarët e forcave të armatosura. Në vitet që pasuan, u përpoq të gjendej një ekuilibër mes dëshirave të Shtëpisë së Bardhë dhe nevojës për të ofruar një përkujdesje më civile të 4 Korrikut. Trump, gjatë mandatit të tij të parë, kishte kërkuar që në paradë të përfshiheshin gjeneralë me uniforma dhe mjete ushtarake.
Tani, ai do të kënaqet. Plani parashikon pjesëmarrjen e 6.686 ushtarëve, 2.000 civilëve, 50 helikopterëve, 7 banda muzikore dhe 152 automjeteve, nga të cilat 92 janë të rëndë. Ndër to do të jenë edhe tanket M1 Abrams dhe Sherman M4, të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore. Parada pritet të zgjasë gati katër orë dhe do të mbyllet me një spektakël fishekzjarrësh. Kostoja do të jetë në dhjetëra miliona dollarë.
Zëdhënësi i ushtrisë, Steve Warren, deklaroi se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, por koloneli Dave Butler, një tjetër zëdhënës, shtoi se forcat e armatosura janë të lumtura që do të marrin pjesë në një paradë kaq madhështore.
“Ne duam,” – shtoi ai – “ta shndërrojmë këtë në një ngjarje që e gjithë kombi mund ta festojë me ne. Duam që amerikanët të njohin ushtrinë e tyre dhe ushtarët e tyre. Një paradë mund të jetë pjesë e kësaj dhe mendojmë se do të ishte një shtesë e shkëlqyer për atë që kemi planifikuar tashmë.”/La Repubblica

