Connect with us

Shkrime

Një përfaqësi e zulluve në Strasburg

Nga Namir Lapardhaja

Kështu do të shkruante Faik Konica për grupin e deputetëve të PD-së së Berishës, të cilët, sipas medias, pritet të udhëtojnë drejt Parlamentit Evropian për të protestuar për arrestimin e liderit të opozitës.

Më shumë se sa për të qarë, një lajm i tillë është për të qeshur, mirëpo, duke qenë se kjo opozitë prej kohësh e ka futur veten në spiralen e humorit dhe gallatës, ky lajm është pjesë e një mizanskene që njerëzit i lë thjesht spektator të një humori banal që luhet jo për interesat e tyre, por të një grupi mjeran që gdhihen e ngrysen me idenë se çfarë do të bëjnë për t’i pëlqyer Berishës, në mënyrë që t’i vendosë në një vend të sigurt në listën e deputetëve.

Një gjë e tillë, është thjesht halli i tyre, jo i shqiptarëve, ndaj, ndonëse me qeverinë më të korruptuar në Evropë, opozita e Berishës është mijëra kilometra larg nga pushteti.

Nëse do të rimerrnim alegorinë e Konicës, me përfaqësuesit e Zulluve në Strasburg do të tallej i gjithë Parlamenti Evropian.

Do të tallej e do të qeshnin, sepse përfaqësia do të protestonte për diçka që atje, në Strasburgun e largët, nuk shihet si problem, por si arritje; atje nuk shihet si dhunim i opozitës, por si funksionim i drejtësisë; atje janë të gëzuar dhe të lumtur që lekët e taksapaguesve evropianë janë investuar në një Reformë që po jep produkte konkrete në goditjen e pandëshkueshmërisë 33-vjeçare në nivelet e larta të politikës, sepse nëse një gjë e tillë do të shihej si dhunim i opozitës apo si arrestim pa të drejtë i liderit të saj, nuk do ishte fare nevojë që përfaqësia e Zulluve të udhëtonte drejt Evropës, por do ishte vetë Evropa nëpërmjet përfaqësuesve të saj që do fliste për këtë dhunim dhe shtrëngim, ashtu sikurse bën gjetkë me vende të tjera.

E nëse përfaqësia evropiane do tallet nga brenda xhamave të qeltë të Parlamentit Europian, nga jashtë përfaqësia e Zulluve do të rimarrin disa vjersha në një stil të pëlqyer poshtë Ballkonit në Zullulandë: “Ajo vajzë e huaj,/që u lindë pas nëntë muaj/ Sikur t’ish lindur pas shtatë/ Ndoshta s’do t’ish aq’ e gjatë…”

Advertisement