Connect with us

Shkrime

Një skandal për të cilin flitet shumë pak në Serbi

“Rusia u detyrua të fillojë luftën” në Ukrainë “janë bërë pastrime etnike”, sigurisht që perëndimi ishte i pari që e filloi luftën në Ukrainë – këto tituj i gjen në mediat serbe me një publik të madh, disinformacione që shpërndahen pa u kundërshtuar. Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare serbe, CRTA shumë media serbe financohen në masë të madhe nga të ardhurat publicitare të kompanive perëndimore. Një hulumtim për reklamat në televizionet kombëtare dhe gazetat e përditshme vitin e kaluar arrin në rezultatin, se 63% e kompanive që kanë dhënë reklamat janë nga BE, SHBA apo Zvicra. “Pa paratë e këtyre kompanive perëndimore makineria serbe e propagandës nuk do të ishte aktive”, thotë Rasa Nedeljkov, drejtor pogrami i CRTA.

Gati 10% e reklamave nga kompanitë gjermane

Edhe kompanitë gjermane janë pjesëmarrëse në masë të madhe tek këto reklama, dhe sipas Nedeljkov ato bëjnë pjesë tek “aktorët më të rëndësishëm në tregun serb të reklamave”, me 10% të anoncimeve, sipas vlerësimeve. Për krahasim: kompanitë private dhe shtetërore serbe, sipas të dhënave të CRTA, përbëjnë së bashku 36%, ato ruse madje vetëm 01% të reklamave.

Më shume se 10 kompani gjermane vitin e kaluar kanë bërë publicitet në vlerë prej më shumë se 1 milionë eurosh në media të ndryshme serbe. Koncerni LIDL ka dhënë më shumë para për këtë, ai ka ofruar gjithsej reklama në vlerë 54 milionë euro. Pas kësaj renditet kompania Beiersdorf me 10,3 milionë euro gjithsej, Glovo, që bën pjesë tek Delivery Hero- ka dhënë 5 milionë euro dhe Berlin Chemie AG 3,7 milionë euro. Reklamat janë publikuar në media të ndyshme.

“Më shumë se gjysma e parave të shpenzuara nga LIDL ka shkuar, sipas analizës sonë tek televizionet TV Pink dhe TV Happy, që të dy të njohur për propagandën proruse të luftës dhe raportimin e tyre joprofesional dhe joetik”, thotë Nedeljkov. TV Pink sipas të dhënave të “Nielsen Television Audience Measurement” është televizioni më i shikuar komercial në Serbi. Edhe kompani të tjera gjemane kanë bërë publicitet për vete  tek TV Pink, sipas të dhënave të CRTA.

Imazh negativ i BE

TV Pink dhe TV Happy bëjnë pjesë tek televizionet me qëndrimet më ekstreme në Serbi. Në lidhje me luftën në Ukrainë këto televizione përhapin narrativën ruse. Kështu jepet pa kritikë disinformimi rus për gjoja “denazifikimin” në Ukrainë apo paraqiten krimet e dyshuara të ushtarëve rusë në Butsha si manipulime. Nga ana tjetër NATO bëhet përgjegjëse për luftën. Edhe disinformimi për biolaboratorët luan rol herë pas here. Kësaj i shtohet paraqitja e një imazhi negativ të BE. Ndër të tjera pretendohet, se nuk ka liri mendimi në BE. Në një kronikë tjetër thuhet se “zëri i vetëm i arsyes” në BE është Viktor Orban, kryeministri hungarez. Edhe SHBA paraqitet rregullisht me imazh negativ. Pas tërmeteve në Turqi dhe Siri madje SHBA bëhen përgjegjëse edhe për katastrofën.

Edhe media të tjera jo lokale në Serbi përhapin pak a shumë qëndrime të tilla, si psh televizioni TV Prva, B92 apo gazetat Informer dhe Vecernje novosti. Edhe në këto media kompanitë gjermane kanë bërë publicitet për veten në vlerë prej më shumë se 1 milionë eurosh. “Të gjitha mediat me rrezatim të gjerë si TV online apo print janë në një linjë”, thotë Thomas Brey ish-drejtues prej vitesh i zyrës rajonale për Europën Juglindore i agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. “Ka vetëm disa gradë lëvizje.”

Apel për vlerat europiane

Thomas Hacker, deputet i FDP-së kërkon nga sipërmarrjet gjermane të analizojnë më mirë se ku e vendosin reklamën. “Edhe si kompani do të shikoja, se në cilën gjendje ndodhemi aktualisht në botë. Dhe ato duhet të pyesin veten: cilën propagandë financoj me këto shpenzime? Për shkak se Serbia është shumë më e vogël se Gjermania për shembull, krahasimisht dimensioni i shpenzimeve është shumë i lartë e në këtë kuptim luan rol”. Sipas Hacker, kompanitë gjemane duhet të paraqesin reklamat në media që mishërojnë vlerat europiane.” Deputeti i Bundestagut nuk beson se kjo ka të bëjë me vendim të vetëdijshëm të kompanive. “Megjithatë kompanitë kanë përgjegjësi se ku i vendosin reklamat e tyre.”

Kurse deputeti i partisë së Gjelbër, Boris Mijatovic e shikon “të dyshueshme” sjelljen e kompanive gjermane, sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë. “Nuk është në interes të politikës europiano-perëndimore që të mbështeten me më shumë se 20 milionë euro narrativat ruse.”

Interesat ekonomike parësore?

Eksperti Rasa Nedeljkov ka dyshime për padijen e kompanive. “Këto kompani kanë zyrat e tyre lokale dhe të punësuarit, agjenci lokale reklame dhe mediatike – prej kohësh nuk mund ta anashkalosh ‘imazhin profesional’ të këtyre mediave, nëse jeton në Serbi, bën biznese në Serbi apo jeton edhe për pak kohë.” Ai mendon se dhënia e reklamave lidhet me shikueshmërinë e gjerë të këtyre mediave.

Edhe Aleksandra Tomanic, drejtuese e European Fund for the Balkans kërkon që sipërmarjet gjermane të tregohen të përgjegjshme. “Sidomos në kontekstin e vitit të kaluar, dhe duke kujtuar se sa sakrificë duhet të bënte ekonomia gjermane, politika gjermane dhe popullsia në Gjermani për t’u pozicionuar moralisht, kjo nuk shkon.” Sipas Tomanic fitimet e kompanive nuk mund të jenë kërkim faljeje për gjithçka.

Sipërmarrjet nuk e pranojnë përgjegjësinë

Kërkesës së ARD-së nga ekipi i “faktenfinder” (gjurmuesit të fakteve) se sa fonde janë shpenzuar vitin e kaluar për reklama, sipërmarrjet nuk i kanë dhënë përgjigje. Një zëdhënës i LIDL Serbia bëri të ditur se vendimi për dhënien e reklamës merret “mbi bazën e të dhënave të marketingut si për shembull të shikueshmërisë”. Kjo sipas LIDL Serbia “për të arritur sa mirë klientët tanë dhe ata potencialë.” Kurse një zëdhënës i METRO Serbia bëri të ditur, se sipërmarja bashkëpunon me shumë media në kuadër të reklamave pë të arritur klientelën. Por këtu ndiqen “vetëm qëllime komerciale dhe nuk ka asnjëherë përzierje në çështje politike”- Kurse Glovo, kërkesës së ARD-së të “faktenfinder” se sipërmarrja siguron që “reklamat tona të mos paraqiten krah përmbajtjeve të papërshtatshme apo ilegale”. Sipas Glovo buxheti për mediat për televizionin në Serbi është “shumë më i vogël”, se vlerësimi që është bërë. Edhe kompania “dm” shkruan se bashkëpunon me TV Pink, sepse është televizioni më i shikuar në Serbi. Kriteret kryesore për bashkëpunim” janë “grupet e klientelës, shikueshmëria dhe plani i programit”. Sipas dm ky koncern shikon vetëm një televizion në Serbi që ka një qëndrim të hapur prorus dhe antiperëndimor dhe “me këtë ne nuk bashkëpunojmë”.

Problem pasiviteti i BE 

Ekspertët krahas sipërmarrjeve shohin përgjegjësi edhe tek BE. Sepse kjo gati i mbyll sytë që presidenti Vuçiq i ka vënë nën kontroll mediat serbe. “Shumë nga mediat serbe janë si zëdhënëse të Vuçiqit” thotë eksperti Thomas Brey. “Opozita gati nuk dëgjohet.” Kjo përkon me një vlerësim të CRTA, sipas të cilit. TV Pink vetëm në vitin 2022 ka dhënë 258 fjalime live të Vuçiqit, dhe 3/4 e kohës së lajmeve kanë qenë të rezervuara për Vuçiqin.

Edhe Tomanic shikon një problem tëm madh tek pasiviteti i BE. “Dihet, se demokracia dhe liria e medias në Serbi janë të dëmtuara. Ky është një skandal për të cilin në BE flitet shumë pak dhe akoma më pak veprohet.” Sepse edhe përmes propagandës mediale shtetërore, të komanduar, imazhi i BE në popullsi ka rënë. Sipas të dhënave të Ministrisë për Integrimin Europian, vetëm 43% e serbëve e mbështesin anëtarësimin në BE. Kjo megjithëse BE është partneri më i madh tregtar i Serbisë. Për shkak të negociatave për arritjen e një ujdie në çështjen e Kosovës, BE i trembet një kritike të drejtpërdrejtë ndaj Vuçiqit, kritikojnë ekspertët. “Ndërkohë që mangësitë janë të dukshme”, thotë Brey. “Drejtësia është e komanduar, nuk institucione të pavarura shtetërore. Mediat janë të centralizuara dhe censuruara, ekonomia dominohet nga shteti dhe nga oligarkët privatë, që janë të afërt me shtetin.”

Advertisement