Kronike
Njohja me Malkon/ Leonard Duka: Kishim shok të përbashkët Martinaj
Leonard Duka i arrestuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malkos po jep dëshminë e tij në GJKKO, ndërsa ka mohuar sërish të jetë i përfshirë në ngjarje. Duka tha se e kishte marrë vesh për ngjarjen në momentin që është shoqëruar nga policia po atë ditë.
Ai ka treguar se Malkon e njihte para disa vitesh, ndërsa ka treguar se kishin mik të përbashkët, Ervis Martinajn. Në gjyq, Duka ka hedhur akuza ndaj prokurorit Behar Dibra se, sipas tij prej 6 vitesh e ka mbajtur në kërkim pa arsye.
Prokurori Behar Dibra: Po Skoda Roster ku e mbanit?
Leonard Duka: Unë po të jap përgjigje për respekt të gjykatës, se ti nuk e meriton.
Prokurori Behar Dibra: Për respekt të së vërtetës. Jo për mua.
Leonard Duka: Ke 6 vjet më ke mbajtur kot në kërkim. Nuk e di me se është marrë Santiago Malko, kisha 3 vjet pa e parë. Kur e takova nuk isha vetëm me të. Shoku i përbashkët ka qenë Ervis Martinaj. E kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet. Por e kam ruajtur respektin për të. Unë kam pasur bizneset e mia, ai të vetat. Edhe ai ka pasur bastet e veta. Nuk e di me se është marrë. Pasi u ndamë nuk e di ç’ka bërë. Nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie borxhi. Kur jemi takuar herë të tjera nuk kemi qenë bashkë por me miq të përbashkët. Nuk ua mbaj mend emrat. Jemi takuar nëpër club-e, lokale. Nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë as familja ime. Çuna të rinj jemi, jemi zënë, jemi gri, pse ty nuk të ka ndodhur ndonjëherë të zihesh. Kjo punë nuk ka lidhje me ngjarjen, nuk e di sa herë është zënë vëllai im rrugëve. Sherrin e vëllait, Erlisit, e kam marrë vesh nëpërmjet robve të mi, se isha në Gjermani. Mora vesh që vëllai është zënë për çështje pse më shef. Në dijeni për vëllain më vuri babi. Me vëllain nuk komunikova dot se u fut në burg, pastaj në gjyq. Rivelino Mumajesin e njoh, kur është plagosur
Pasi gjyqtarja i ka tërhequr vëmendjen për të ruajtur qetësinë, Duka sërish ka hedhur akuza ndaj prokurorit të çështjes.
Leonard Duka: Ku ta gjej qetësinë gjyqtare me këtë? Ky është i paaftë, më mban prej 6 vitesh në kërkim mua dhe e gjithë fisin tim.
Prokurori Behar Dibra: Babait tuaj i ka ndodhur diçka?
Leonard Duka: Nuk ka pasur baba as fyerje, as goditje, nga askush. Santiago dhe Visi, di që kanë qenë shokë.
Leonard Duka një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia shqiptare, u arrestua më 14 shkurt 2023 në Belgjikë, ndërsa u ekstradua në vendin tonë dy muaj më parë. Duka aktualisht po gjykohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, një nga njerëzit më të besuar të Ervis Martinajt.