Kosova
“Njohje apo normalizim”, Hill “kundër” SHBA dhe BE për raportet Kosovë-Serbi
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill ka një qëndrim të ndryshëm nga Bashkimi Europian dhe Washingtoni për çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia. Në një intervistë për revistën “Diplomacy and Commerece’, diplomati amerikan thekson se normalizmi i raporteve Kosovës-Serbi është thelbësore. Hill gjatë intervistës përpiqet të shmangë fjalën njohje dhe i bën thirrje BE-së që Serbinë ta pranojë brenda strukturave të tyre.
“Para së gjithash, ajo që po bëjnë evropianët është gjëja e duhur. Dhe ajo që ata po bëjnë është që Kosova dhe Serbia të kenë një marrëdhënie të normalizuar. Dhe kjo do të thotë, para së gjithash, reduktim i tensioneve, por do të thotë edhe ideja e një lloji mirëkuptimi me aftësinë për të punuar së bashku për çështjet. Pra, normalizimi është ajo që po kërkon Bashkimi Evropian”, tha Christopher Hill, ambasador i SHBA në Serbi.
Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve, sipas diplomatit amerikan, “do të thotë jostabilitet, por edhe probleme”.
“Ndërsa evropianët duan ta shohin Serbinë në mesin e tyre, brenda strukturave të tyre, ata duan që Serbia t’i zgjidhë ose të paktën t’i adresojë problemet e saj përpara se të hyjë në BE. Pra, unë mendoj se ata janë shumë të përqendruar në normalizim, ashtu sikurse edhe ne”.
Në lidhje me anulimin e festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan’, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha se nuk e kupton vendimin për ndalimin e festivalit. Sipas tij, festivali është një ngjarje që e inkurajon bashkëpunimin mes Serbisë dhe Kosovës.
“Ka gjithmonë arsye të sigurisë, kjo është e qartë për mua. Por, unë nuk e kuptoj këtë vendim. Festivali ka qenë i shkëlqyeshëm për Serbinë, është mbajtur për dhjetë vjet”, tha Hill. Ndalimi i festivalit u dënua nga organizatat joqeveritare në rajon dhe nga disa parti opozitare në Serbi, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu keqardhje.