Bota
Në Vatikan për Pashkë, shqiptari pagëzohet nga Papa Françesku
Papa Françesku ka pagëzuar dhe një shqiptar mes disa prej besimtarëve gjatë meshës së mbajtur në vigjilje të Pashkëve.
“Të hyjmë edhe ne në shtegtimin e dishepujve, që shkon nga varri, në Galile – këtë na kujton Nata pa gjumë e Pashkëve (Mt 28,1), duke na ftuar të kthehemi jo te një Jezus abstrakt, ideal, por te kujtimi i gjallë, konkret dhe drithërues i takimit të parë me Zotin”, tha Papa gjatë pagëzimit.
Gjatë kremtimit të liturgjisë së Natës së Shenjtë të Pashkëve, Papa Françesku përmendi Sakramentet e para të fesë së krishterë për 8 besimtarët nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nigeria, Italia dhe Venezuela.
Në përfundim Papa u drejtoi të gjithëve thirrjen:
“Vëllezër, motra, ta ndjekim Jezusin në Galile, ta takojmë dhe ta adhurojmë atje ku ai e pret secilin prej nesh. Ta ringjallim bukurinë kur, pasi e pamë të gjallë, e shpallëm Zot të jetës sonë. Le të kthehemi në Galile, secili të kthehet në Galilenë e tij, në atë të takimit të parë, dhe do të rilindim në jetën e re!”.