Politike
Nokës i garantova 10 mijë vota në Peqin e Belsh”/ Sula: PD nuk po dëgjon zërin e qytetarëve

Dashnor Sula ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Sula u shpreh se megjithëse nuk ishte as në listën e hapur as në atë të mbyllur, i kishte garantuar Flamur Nokës 10 mijë vota në rrethet e Peqinit dhe Belshit, por rezultatet ishin shumë të ulëta. Sula shtoi më tej se PD nuk po dëgjon zërin e qytetarëve dhe kritikoi liderët aktualë të partisë, duke sugjeruar që opozita duhet të mbështesë SPAK-un, pasi Struktura e Posaçme shihet si shpresë nga qytetarët.
“Nuk kam qenë as në listë të hapur dhe as në listë të mbyllur të PD-së. Më mori në celular Flamur Noka. I kërkova që të jem në Peqin dhe i garantova që do merrja mbi 10 mijë vota. Përfundoi Peqini me 2300 vota dhe në Belsh me 1.500 vota. Kam votuar për person, nuk kam votuar për parti. E prisja këtë rezultat. E kam paralajmëruar më 26 korrik 2024, e kam thënë në parlament, kam thënë Rama i ke zgjedhjet i ke të fituara dhe rrezikon që të fitosh zgjedhjet me shumicë të cilësuar. Kjo ndodhi për një Kod mizerabël, që e bëri edhe Sali Berisha me njerëzit rreth tij. Lista e mbyllur e PD nuk prodhon vota, se kanë figura të konsumuara. Ti mund të humbasësh ndeshjen 1:0, por kur e humb 5:0 a 10:0 në futboll atëherë nuk ke çfarë të kërkosh, se ke ekip të dobët.
Te PD nuk dëgjojnë më zërin e qytetarin. Sali Berisha më ka premtuar që do mundë Ramën. Por nuk e mund dot Ramën. Sali Berisha asnjëherë nuk ka pranuar humbjen e zgjedhjeve. Nuk janë zgjedhje të vjedhura ekstremisht. Partia Demokratike sot ka probleme. Ka nga ata në PD që nuk hapin telefonin. Problemi te PD është se opozita është e përçarë, disa persona kanë zënë pozita të larta edhe pa e merituar. Ne kemi votën e militantëve ekstremistë. Tre njerëzit që drejtojnë PD-në janë Sali Berisha, Flamur Noka dhe Albana Vokshi. Berisha nuk duhet të ishte kandidati për kryeministër. PD duhet të ketë aleat më të madh SPAK-un. Shumë demokratë e dinë se humbasin. Sali Berisha nuk është ai i 2005-ës. Pas 2005, nuk kemi fituar asnjë shumicë të shqiptarëve,” tha Sula.

