Connect with us

Shkrime

“Non-grata” e Berishës tashmë është “non-sens”

Ardhja në pushtet e Donald Trump në SHBA e ka bërë të pakuptimtë debatin shqiptar mbi heqjen ose jo të non-gratës së Berishës. Me Trumpin në pushtet SHBA-të kanë hequr dorë nga çdo interes dhe tagër, institucional apo moral, për të shpallur dikë si të korruptuar apo si kërcënim për demokracinë.  Demokratizimi dhe anti-korrupsioni tashme nuk janë fare prioritete të politikës së jashtëme, trampiste.  Shpallja “non-grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë ishte një instrument i politikës së jashtëme amerikane kur ajo kishte si objektiv primar demokratizimin dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë kuadër parimor dhe institucional “non-grata” për politikanët e korruptuar dhe anti-demokratik ishte një nga mekanizmat që përdornin SHBA-të për të promovuar demokratizimin, sidomos tek aleatët e tyre.

Me ardhjen e Trump në pushtet ky kuadër parimor dhe institucional është çmontuar. Demokratizimi dhe lufta anti-korrupsion nuk janë aspak prioritete të administratës Trump në politikën e jashtëme. Përkundrazi, këto shikohen nga trampizmi si objektiva që kanë cënuar interesat kombëtare të SHBA-ve, qoftë në politikë, qoftë në biznes. 

Një nga vendimet e para të administratës Trump ishte pezullimi i zbatimit të Dekretit mbi Praktikat Korruptive Jashtë Vendit (Foregin Corrupt Practices Act) që sanksiononte bizneset amerikane që u jepnin ryshfet zyrtarëve të huaj për të fituar kontrata apo tendera nga qeveritë e tyre. Ky dekret ishte miratuar që në vitin 1977 në SHBA dhe prej kohësh ishte bërë një kollonë e rëndësishme e politikës së jashtëme amerikane dhe e rendit ndërkombëtar liberal. SHBA-të ia imponuan edhe aleatëve të tyre perëndimor parimin e mos-korruptimit tw zyrtarëve të huaj nga kompanitë perëndimore që investonin në këto vende.  

Në vendimin e nxjerrë nga presidenca Trump më datë 10 shkurt të 2025 për pezullimin e këtij dekreti thuhet tekstualisht se zbatimi i tij “në mënyrë aktive dëmton konkurrueshmërinë Amerikane dhe, për pasojë, sigurinë nacionale”.  (https://www.whitehouse.gov/presidential-actions/2025/02/pausing-foreign-corrupt-practices-act-enforcement-to-further-american-economic-and-national-security/

E thënë ndryshe, nëse bizneseve amerikane u duhet të korruptojnë zyrtarët e huaj, për të nxjerrë minerale të rralla, bie fjala,  atëherë ky korruptim është në interes të ekonomisë amerikane dhe në funksion të interesit kombëtar amerikan. Për pasojë ai duhet lejuar. Nuk është rastësi që një nga aktet e para të trampizmit ishte shkrirja e USAID, agjencia e ndihmës ndërkombëtare më e rëndësihme në nivel global. USAID ishte një nga instrumentet kryesore të politikës së jashtëme amerikane në funksion të demokratizimit dhe luftës anti-korrupsion në arenën ndërkombëtare. PD-ja dhe Berisha zor se do kishin ardhur në pushtet në vitin 2005 me ligjërimin e tyre anti-korrupsion pa fushatën dhe lëvizjen anti-korrupsion që USAID ideoi dhe financoi në Shqipëri në fillim të viteve 2000. 

Sot politika e jashtëme amerikane nuk ka prioritet as demokratizimin, as të drejtat e njeriut dhe as luftën kundër korrupsionit. Interesi i saj është thellësisht ekonomik dhe gjeopolitik. Ekonomikisht ajo do të zgjerojë bazën e vet industriale dhe furnizimin me minerale që kërkon industria e brendëshme. Për këtë arësye i duhen mineralet e rralla në Groenland, në Kanada apo në Ukrainë.  

Nga pikpamja gjeopolitike SHBA-të tashmë duan të tërhiqen nga detyrimet që kanë në Evropë dhe Azi për të mos shpenzuar në mbrojtjen e tyre. Prioritet këtu është stabiliteti dhe paqja përtej çdo parimi liberal. Bëhet fjalë për një paqe realiste dhe jo parimore, ku faktor përcaktues është forca dhe jo e drejta. Ndaj Rusia ka të drejtë të mbajë atë që ka fituar me forcë në Ukrainë. 

Në këtë kontekst heqja apo mbajtja e “non-gratës” për Berishën nuk ka asnjë lloj kuptimi sepse ky instrument tashmë është shkrirë bashkë me kuadrin e politikës së jashtëme që e kish krijuar atë. Nëse non-grata mbetet kjo nuk do të thotë aspak se administrata Trump e shikon Berishën me shqetësim si një aktor të korruptuar dhe anti-demokratik. Korrupsioni dhe demokratizimi shqiptar janë fshirë nga radari i politikës së jashtëme të administratës Trump.

Ndaj nëse non-grata hiqet kjo nuk do të thotë aspak që Berisha tashmë është i pa-korruptuar dhe demokratik. Një çertifikatë pastërite dhe demokracie nga presidenca Trump nuk ka asnjë kredibilitet. Berisha, të cilin e kemi kritikuar pafund, është më pak i korruptuar dhe më demokratik se Trampi.  

Përdorimi që Trump i bën Presidencës Amerikane për tu pasuruar është i paprecedent edhe për standartet berishiste. Trump jo vetëm shet kriptomonedha si president por bën takime me pagesë me biznesmenët. Në oborrin presidencial në Mar-a-lago biznesmenët paguajnë 5 milion dollar për një takim individual me Trump dhe 1 milion dollar për një takim në grup (shiko https://www.wired.com/story/people-paying-millions-donald-trump-mar-a-lago/ ). 

As armiqtë më të betuar të berishizmit nuk mund ta akuzojnë Berishën se ka arritur në nivele të tilla kaq flagrante korrupsioni në qeverisjen e tij. 

Ndaj është qesharake të mendosh se nëse non-grata e Berishës nuk hiqet kjo tregon se administrata Trump është e shqetësuar për korrupsionin dhe autoritarizmin e berishizmit. Është akoma më qesharake të argumentosh se heqja e non-gratës nga presidenca Tramp, e çliron Berishën nga akuzat për korrupsion dhe minim të demokracisë. 

Heqja e non-gratës mund të ndodhë fare kollaj nëse Berisha apo një përfaqësues i tij bisedon kokë më kokë dhe e bind Trumpin, kuptohet në shkëmbim të një favori konkret. Tashmë administrata publike amerikane, duke përfshirë edhe departamentin e shtetit, po mbushet me besnikë të Trump që herët a vonë do zbatojnë çdo dëshirë të tij.

Ama nëse administrata Trump ia heq “non-gratën” Berishës pyetja që lind natyrshëm është se ku i gjeti milionat familja Berisha për të bërë lobim apo takime me Trumpin. Kujtojmë që një takim vlen 5 milion dollarë. Pa u marrë me faktin se një çertifikatë ndershmërie dhe demokracie nga një prej presidentëve më të korruptuar dhe autoritar që ka parë historia e SHBA-ve ka shumë pak vlerë.   

Pra ngado që ta kapësh debati për non-gratën e Berishës sot është një non-sens. Është një debat që kish kuptim në rendin e mëparëshëm botëror ku SHBA-të pretendonin se ishin kampionët e demokracisë dhe të anti-korrupsionit. Teksa ky rend po shpërbëhet non-grata e Berishës kthehet në një relike të së kaluarës, sikurse vetë mbajtësi i saj. 

Artikulli i Blendi Kajsiut  Lapsi.al

Advertisement