Connect with us

Kronike

NTV.AL sjell detaje nga konfiskimi i hotelit të famshëm në Durrës

Gjykata ka vendosur konfiskimin e hotelit ‘Colombo’ në Durrës, në pronësi të Pëllumb Tudës alias Pali Tudës. Ka dyshime se kjo pasuri është vëna nga aktiviteti kriminal, pastrimi i parave të vënë nga lëndët narkotike, si edhe shfrytëzimi i prostitucionit.

 

Njoftimi i plotë

 

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi konfiskimin e pasurisë në emër të shtetasit P.T., pallat, objekt hotel dhe bar në Plazh Durrës, me vlerë 1,000,000 Euro.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për procedimin pasuror nr. 2/2020, regjistruar ndaj subjektit hetimor shtetasit P.T., banues në Plazh, Durrës, rezultoi e provuar se ekzistojnë kushtet ligjore për sekuestrimin e pasurive të luajtshme/të paluajtshme që rezultojnë në emër të të dyshuarit P.T., për këto arsye:

Së pari: Ekziston përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi P.T., është i përfshirë në veprimtari kriminale të “Pastrimit i produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, “Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i K.Penal, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i K.Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga neni 278 i K Penal, pasi ndaj këtij shtetasi është ngritur akuzë për kryerje të kësaj vepre penale dhe është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Së dyti: Shtetasi P.T., zotëron drejtpërsëdrejt në emër të tij pasuritë, objekt sekuestrimi. Shtetasi P.T., përfshihet në rrethin e subjekteve, mbi pasuritë e të cilëve shihen nga dispozitat e Ligjit Antimafia nenet 3/1 dhe 2/a.

Së treti: Provohet që vlera e pasurive, objekt sekuestrimi, nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave, nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar.

Mbi këtë bazë me Vendimin nr. 217, datë 09.06.2020 Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur:

1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës:

Konfiskimin e pasurisë së mëposhtme në emër të shtetasit P.T., pasurinë pallat, objekt Hotel + Bar në Plazh Durrës me vlerë 1,000,000 Euro.

Ktheu diskon në vatër prostitucioni, kush është Pali Tuda që iu sekuestrua hoteli ‘Colombo’ në Durrës me vlerë 1 mln euro

‘Colombo’ është hoteli me vlerë 1 milion euro i konfiskuar sot në Durrës. Hoteli është në emër të Pëlumb Tudës, alias Pali Tuda, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Pali Tuda, e kishte kthyer në vatër prostitucioni hotelin e tij “Colombo” në Durrës, duke arritur të gjenerojë të ardhura të shumta, çka ka sjellë ndërtimin e dy pallateve në Durrës. Një biznes që ka nisur fillimisht nga një “Bar-Kafe dhe Disko”, i regjistruar në 5 korrik 2011, por i pezulluar në 2015 dhe më pas në 2018, duket se ka ecur më së miri për të gjeneruar të ardhura, duke arritur të ngrenë një kapital financiar të konsiderueshëm në qytetin e Durrës.

Kjo pasuri dyshohet se vjen nga të ardhura kriminale, kryesisht në trafikun e drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Për Pëllumb alias Pali Tuda, në datën 22 tetor 2015, prokuroria e Durrës ka nisur një hetim për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” ndaj një vajze me inicialet M.P.

Pikërisht kjo shtetase e akuzonte Pëllumb Tudën për “Shfrytëzim prostitucioni”, ku së bashku me të ushtronin prostitucion dhe disa vajza të tjera në ambientet e biznesit të tij “Colombo”. Siç thuhet në dosjen e prokurorisë ky procedim më pas është pushuar nga prokuroria e Durrësit, pasi vajza që shfrytëzohej si prostitutë ka vendosur të tërheq dëshminë e saj, çka ka dashur të shfajësojë Pëllumb Tudën të cilin e kishte shumë frikë.

Rezulton se gjatë vitit 2003 deri në vitin 2008, Pëllumb Tuda, ka investuar në dy pallate në Durrës, me vlerë gati 800 mijë euro, prona këto që dyshohet se janë gjeneruar nga fitime financiare të veprimtarisë kriminale. Momentalisht të dyja këto prona janë vënë në sekuestro nga policia, ndërkohë pritet që vendimi i gjykatës së Durrësit të ankimohet në gjykatën e Apelit. Nëse dhe kjo gjykatë do vendosë lënien në fuqi të sekuestros atëherë, më pas është Drejtoria e Menaxhimit të Pasurive Kriminale që merrë në administrim këto prona.

Advertisement